Shqipëria Postuar më 24 Shtator 2025, 10:56

Çmimet e pronave rriten deri në 40% me hyrjen ne BE- Analiza/ Çfarë do ndodhë me tregun 5-7 vite pas anëtarësimit?

Nga Elisabeta Dosku

Çmimet e pronave rriten deri në 40% me hyrjen ne BE- Analiza/

"Sektori i pronave në Shqipëri po ecën vërtet përpara dhe ka goxha hapësirë për të blerë prona me një çmim të përballueshëm ende. Kështu që ajo që do t'u thosha të gjithëve atyre që kanë likuiditet, para, dhe ju keni shumë para këtu në Austri që një pjesë të këtyre parave t'i shpenzoni duke blerë prona, apartamente në Shqipëri, do të jetë një investim vërtetë shumë i mirë, sepse çmimet po rriten dhe do të rriten gjithnjë e më shumë, edhe kur ne të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Europian. Një gjë që është kaluar edhe nga vendet që tashmë janë shtete anëtare, sepse kur bëhesh shtet anëtar, çmimet rriten pothuajse dyfish. Kështu që blini një apartament në Tiranë, prisni pak vite dhe e shisni me çmimin e dyfishtë."

Ky ka qenë apeli i bërë një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama, drejtuar investitorëve austriakë.

Ndërsa një analizë e fundit e bërë nga ALTAX del në konkluzionin se anëtarësimi në Bashkimin Europian, objektivi i të cilit është viti 2030,  mund të sjellë rritje graduale të çmimeve të pronave në Shqipëri 20-40% në një hark kohor 5-7 vjet për zonat me tituj të qartë pronësie, ajër të pastër, lidhje të mira transporti dhe infrastrukturë të mirëmbajtur.

Analiza bazohet edhe në eksperiencën e shteteve të tjera të cilat kanë kaluar këtë cikël siç është Kroacia, Sllovenia apo Rumania.

Sipas dokumentit, dyfishimi i vlerës së pronës nuk është i garantuar pasi mund të jetë pothuajse i pamundur pa reforma strukturore në: Zbatimin e ligjit dhe sigurinë e pronësisë. Reduktimin e korrupsionit në ndërtim. Përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe mjedisit.

Për këto arsye, thuhet se hyrja në BE nuk është garanci për pasurim të shpejtë. Tregu mund të mbajë çmimet aktuale për 2–3 vitet në vijim, por rritje të mëtejshme do të kërkojë ekonomi reale, jo vetëm entuziazëm politik.

Referuar të dhënave te ALTAX, në vitin 2025, tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe qytetet bregdetare, po përjeton rritje rekord.

Në zonat premium të Tiranës (Bllok, Liqeni Artificial, Kodra e Diellit), çmimet e apartamenteve të reja variojnë 2,200–3,500 €/m², ndërsa në vijën bregdetare (Vlora, Saranda, Durrësi) çmimet e apartamenteve të para vijës detare arrijnë deri 2,000 €/m², me disa projekte luksoze që kalojnë 3,000 €/m².  Aktualisht mesatarja është 1400 euro për m2.  Në vendet si Kroacia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia, në 5 vite pas anëtarësimit, çmimi i pronave rezulton të jetë rritur me  27% - 45 %, dhe rritja më e madhe regjistrohet në Rumani.

Sipas analizës, me të ardhura mesatare rreth 7,000 €/vit për frymë, Shqipëria ka tashmë një raport çmim/fitim ndër më të lartët në rajon (7–10 vite pagë për të blerë një apartament 70 m² në Tiranë). Në Kroaci apo Slloveni ky raport është 4–6 vite.

Kjo tregon se tregu shqiptar është mbi kapacitetet e blerësve vendas, duke u mbështetur në: Diasporën shqiptare me kursime në euro; Blerësit e huaj (italianë, polakë, çekë) që e shohin bregdetin si destinacion pushimi dhe kapitalet informale (cash economy).

ALTAX nënvizon se këto burime janë të kufizuara dhe të ndjeshme ndaj krizave financiare apo ndryshimeve ligjore. Për këtë arsye, dilet në konkluzionin se në mungesë të një ekonomie të brendshme më të fortë dhe një tregu kredie të përballueshëm, rritja e mëtejshme e çmimeve është e brishtë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat