Shqipëria Postuar më 4 Korrik 2026, 12:57

Çmimet e prodhimeve bujqësore u rritën në 2025/ Indeksi shënoi rritje me 1%, i nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i prodhimeve bimore

Nga Scan TV

Çmimet e prodhimeve bujqësore u rritën në 2025/ Indeksi

Çmimet e prodhimeve bujqësore në Shqipëri kanë vijuar trendin rritës edhe gjatë vitit 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), indeksi vjetor i çmimeve të prodhimeve bujqësore arriti në 151.2 pikë, nga 149.6 pikë që ishte një vit më parë, duke regjistruar një rritje prej 1%.

Të dhënat tregojnë se ndikimin kryesor në këtë ecuri e kanë pasur prodhimet bimore, çmimet e të cilave u rritën me 1.4% krahasuar me vitin 2024. Ndërkohë, edhe prodhimet blegtorale shënuan rritje, por me ritëm më të moderuar, prej 0.5%.

Indeksi i çmimeve të prodhimeve bujqësore mat ndryshimin e çmimeve që fermerët marrin për produktet e tyre dhe përbën një tregues të rëndësishëm për zhvillimet në sektorin bujqësor. Përllogaritja e tij bazohet në standardet e Eurostat dhe realizohet përmes mbledhjes mujore të të dhënave nga ferma, tregje të shumicës, tregje të gjësë së gjallë dhe pika të tjera grumbullimi në të gjithë vendin.

Në grupin e prodhimeve bimore përfshihen drithërat, bimët industriale, bimët foragjere, perimet, patatet dhe drufrutorët, ndërsa prodhimet blegtorale përfshijnë mishin në peshë të gjallë, qumështin, vezët dhe mjaltin.

Rritja e indeksit tregon se fermerët kanë përfituar çmime mesatarisht më të larta për prodhimet e tyre gjatë vitit 2025, megjithëse ritmi i rritjes mbetet relativisht i ulët krahasuar me luhatjet e forta të viteve të mëparshme.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat