Shqipëria Postuar më 9 Qershor 2025, 11:01

“Çmimet e postës duhet të ndryshohen” - AKEP: Tarifat nuk janë rishikuar që prej 2002. “Ngërçi”, te dërgesat jashtë Shqipërisë

Nga Ledina Elezi

“Çmimet e postës duhet të ndryshohen” - AKEP:

Tarifat e Postës Shqiptare për shpërndarjen e objekteve brenda vendit janë disa herë më të ulëta krahasuar me tarifat në vendet e tjera të rajonit dhe Evropës.

Megjithatë, nëse bëjmë një krahasim midis çmimit që i paguajnë shqiptarët Postës për dërgesat brenda vendit dhe çmimit që i paguajnë për dërgesat jashtë vendit, diferenca është shumë e madhe dhe e tejkalon mesataren e vendeve të tjera të Evropës. Pra, tarifat për të dërguar një pako jashtë vendit nga Posta Shqiptare, rezultojnë të jenë shumë të larta.

Sipas një analize të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), tarifat për pakot 2kg brenda vendit janë 6.5 herë më të ulëta se mesatarja e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe 2 herë më të ulëta se mesatarja në vendet jo-anëtare të BE. Ndërkohë, tarifat për pakot 2kg  të dërguara jashtë vendit me transport ajror janë deri në 2.3 herë më të larta se mesatarja e shteteve të Evropës.

Tarifa e Postës Shqiptare për pako 2kg të dërguara jashtë vendit me avion është 3900% ose 40 herë më e lartë se tarifa për pako 2kg brenda vendit, krahasuar me 194% në vendet anëtare të BE dhe 775% në vendet jo-anëtare të BE.

Nga ana tjetër, çmimet për shpëndarjen e letrave të thjeshta brenda dhe jashtë vendit rezultojnë të dyja më të ulëta se mesatarja e shteteve të tjera të Evropës. Pavarësisht kësaj, tarifa për letër ndërkombëtare është rreth 3.2 herë më e lartë se tarifa për letër brenda vendit. Diferencë shumë më e madhe se shtetet e tjera të Evropës.

Ofruesi i shërbimit universal postar, që deri në korrik është Posta Shqiptare, duhet të zbatojë kushtin që tarifat të jenë të përballueshme, si dhe të orientuara drejt kostos.

Tarifa të ulëta për disa objekte postare dhe më të larta për disa të tjera, si dhe mosndryshimi i tarifave që prej vitit 2002, krijojnë probleme në ofrimin efikas të shërbimit universal postar. AKEP thekson se është i nevojshëm rishikimi i vazhdueshëm i tarifave, me qëllim rritjen e eficiencës në ofrimin e shërbimeve postare.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat