Shqipëria Postuar më 20 Mars 2026, 11:30

Mijëra vende pune nga energjia dhe eficienca - Dokumenti/ Nevojë për 12 mijë punonjës me kohë të plotë deri në vitin 2030

Nga Ola Mitre

Mijëra vende pune nga energjia dhe eficienca - Dokumenti/ Nevojë

Zbatimi i politikave për zbutjen e ndryshimeve klimatike pritet të sjellë përfitime të ndjeshme ekonomike dhe sociale, duke u fokusuar kryesisht në eficiencën e energjisë dhe zhvillimin e burimeve të rinovueshme. Sipas draftit të Kontributit Kombëtar të Përcaktuar, i nxjerrë për konsultim publik nga Ministria e Mjedisit një nga efektet më të drejtpërdrejta lidhet me uljen e kostove për familjet, përmes investimeve në termoizolimin e ndërtesave dhe pajisje më efikase. Këto masa synojnë të reduktojnë faturat e energjisë dhe të adresojnë varfërinë energjetike, veçanërisht për shtresat me të ardhura të ulëta.

Në të njëjtën kohë, rritja e investimeve në energji të pastër dhe eficiencë pritet të përkthehet në rritje të punësimit dhe të ardhurave publike, ndërsa shpenzimet për energji në buxhetin e shtetit mund të reduktohen gradualisht.

Një fokus i veçantë i kushtohet krijimit të vendeve të reja të punës. Programet për rinovimin e ndërtesave dhe zhvillimin e energjisë së rinovueshme pritet të gjenerojnë mijëra vende pune “të gjelbra” në sektorë si ndërtimi, prodhimi dhe mirëmbajtja.

Sipas skenarëve të parashikuar në dokument, investimet në energjinë e rinovueshme dhe eficiencë mund të krijojnë deri në 12 mijë vende pune me kohë të plotë deri në vitin 2030. Ndërkohë, zgjerimi i kapaciteteve fotovoltaike pritet të shtojë edhe rreth 3 mijë vende pune shtesë gjatë fazave të instalimit dhe operimit.

Sipas dokumentit, në fazat fillestare, reformat mund të kërkojnë mbështetje fiskale nga shteti, përmes subvencioneve apo skemave stimuluese. Por në afat më të gjatë, pritet që këto investime të balancohen nga rritja e të ardhurave dhe kursimet në shpenzimet publike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat