Shqipëria Postuar më 24 Prill 2025, 15:06

“Mes Semanit e Vjosës”, zbardhen detajet e projektit - Balluku: Projekt inovator, me rëndësi për zhvillimin ekonomik të zonës

Nga Ernilda Luzi

“Mes Semanit e Vjosës”, zbardhen detajet e projektit - Balluku:

Gjatë një dëgjese për projektin “Mes Semanit e Vjosës, u prezantuan detajet si dhe masterplani i këtij projekti.

Në fjalën e saj zv.kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cilësoi si një nga projektet më të rëndësishme të qarkut të Fierit, përsa i përket pjesës së zhvillimit ekonomik.

“Unë e quaj një zhvillim ekonomik, pasi turizmi është kthyer në sektorin kontributor numër një, në të ardhurat e vendit. Vetëm në vitet e fundit në ekonominë shqipare u futën 5 miliardë euro nga turizmi, duke pasur parasysh që viti u mbyll me 12 milionë vizitorë të huaj. Risia e këtij projekti, kemi mundësinë të dizenojmë një zonë të gjerë bregdetare, duke studiuar infrastrukturën dhe duke dhënë munëdësi për adresimin e të gjithë kërkesave që vijnë nga pushteti vendor, kërkesave që vijnë nga pushteti qendror për shkak të volumeve të vizitorëve që ne planifikojmë në vitet e ardhshme. Ky do të jetë një projekt inovator në të gjitha aspektet. Është shumë më e lehtë të ndërtosh një zonë të re, sesa të sistemosh një zonë që është ndërtuar gabim. Në ditët në vijim, mundësi për të bërë dëgjesa. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të kërkojë nga Bashkia e Fierit, që të krijojë kushtet për të mikpritur një grup arkitektësh së bashku me konsulentët e huaj dhe për të bërë një ëorkshop prej disa ditësh ku do të mbikëqyret i gjithë terreni për të përfunduar këtë projekt. Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në bazë të programit  të tij për kohezionin ekonomik dhe social do të fillojë të hedhë  hapat e para të ndërtimit në zonë dhe sigurisht hapat e para kanë të bëjnë më ambientet që janë të dedikuara për publikun, duke nisur me shëtitoren prej 21 km, duke vazhduar me molin që përfundon në një pistë ku do të krijohen kushtet dhe për vizitorët që vijnë nga deti, do të krijohen edhe kushtet për ankorimin e anijeve të vogla që mund t’i japin zonës një impakt tjetër, pra jo vetëm turizimi që vjen nga toka por dhe nga deti dhe duke vazhduar me të gjitha ato vende rekreacioni që kanë të bëjnë me moshat e reja, rininë, fëmijët dhe moshat e treta. Potencialet e disponueshme në këtë qark janë nga më ndryshmet, nga potenciali bujqësor, turistik te sektori i nxjerrjes së natës dhe gazit që lidhen me komponente të rëndësishëm ekonomikë.”

Ndërsa, Ceno Klosi, zv.ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi në fjalën e tij se ky është një nga projektet më të rëndësishme të qytetit të Fierit, i  gjithë zonës përfshirë gjithë qarkun sepse do të jetë një nga zhvillimet e qytetit, dhe do ta çojë qytetin në një dimension tjetër.

“Fieri ka një bregdet që prej shumë vitesh nuk e ka zhvilluar, por ky projekt do ta transformojë tërërsisht Fierin, ku do të bëjë të mundurqë çdo zhvillim që do bëhet sot e në vijim do jetë sipas një standardi ku do të kemi të mundur që të kemi turizëm elitar për herë të parë në Republikën e Shqipërisë. Nuk do ketë ndërtime pa kriter deri buzë detit, një breget me natyrë të paprishur si Gjiri i Lalzit, por ky projekt do të  bëhet me masterplan. Transformimi i këtij qyteti nëpërmjet këtij projekti është shumë i shpejtë, sepse ky projekt nuk është thjesht një zhvillim bregdeti, por një zhvillim bregdeti që ka në kurrizin e tij një portë të rëndësishme, që fillon bëhet operative shumë shpejt sic është Aeroporti i Vlorës dhe bëhemi bregdeti i dytë pas Durrësit që e ka madje akoma më afër  se Durrësin një portë kaq të rëndësishme dhe quhemi bregdeti më i kompletuar në Republikën e Shqipërisë.”

Nga ana tjetër Adelina Greca, drejtore në Agjencinë e Planifikimit Kombëtar të Territorit bëri një prezantim teknik të projektit se si do zhvillohet projekti, që është me interes për të gjthë, për bizneset dhe individët.

“Kërkesat tona të zhvillimit nuk janë të reja, ai territor ka pasur një vullnet për ta ndryshuar në kuadër të turizmit, por thjesht më parë koha ka qenë e pamjaftueshme. Pra në planet e asaj kohe flitej  për një vizion zhvillimi të bregdetit të Darëzezës me struktura të shumëllojshme të cilat variojnë nga 2-6 kate, për hotele me lartësi 5-6 kate, por edhe hotele tip apartamentesh 3-4 kate, shtëpi pushimi për fëmijë, të rinj;  kamp ditor për fëmijë, kabina dollape për nevoja ditore; qendër shoqërore, qendër administrative; lojëra, argëtime, qendër tregtare, kulla vrojtimi, pika shërbimi; klube  të ndryshme për argëtim; parqe lojërash, si dhe vende për automjete. Zhvillimi që duam t’i japim Darëzezës shkon këto linja, por me një frymë bashkëkohore, ky është një plan po në të njëjtën frymë i viteve ’80 dhe do të donin ta ndryshonim këtë imazh duke e strukturuar mjaft mirë atë zonë për t’i dhënë gjithë shërbimet  e nevojshme. Strukturat do të jenë miqësore me mjedisin, do të jenë struktura të turizmit, por dhe të agroturizmit e ekoturizmit, transporti do të jetë miqësor me biodiversitetin dhe do tentojmë që energjia të jetë e prodhuar nga energjia e rinovueshme”.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat