Shqipëria Postuar më 17 Korrik 2025, 13:06

Menaxhimi i mbetjeve spitalore - Kërkesa të reja për ata që i gjenerojnë, gjoba e heqje licence në rast shkeljesh

Nga Ola Mitre

Menaxhimi i mbetjeve spitalore - Kërkesa të reja për ata që

Ministria e Mjedisit dhe Shëndetësisë kanë nxjerrë për konsultim publik një projektvendim që synon të krijojë një kuadër të qartë dhe të zbatueshëm për menaxhimin e mbetjeve spitalore.

Sipas relacionit shoqërues, ai ka në qendër përmirësimin e praktikave të menaxhimit të mbetjeve që prodhohen nga institucionet shëndetësore, të cilat përbëjnë një rrezik të lartë për stafin mjekësor, pacientët dhe komunitetin në përgjithësi, nëse nuk trajtohen në mënyrë të sigurt.

Dokumenti përcakton standardet që duhet të ndjekin të gjithë prodhuesit e mbetjeve spitalore në vend, përfshirë ndarjen në burim, ruajtjen e përkohshme, grumbullimin e diferencuar, ambalazhimin, etiketimin, trajtimin dhe asgjësimin e mbetjeve, duke ndjekur parimet e hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve dhe ekonomisë qarkulluese.

Projektvendimi, i cili është hartuar edhe në zbatim të nenit 35 të ligjit “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, synon të vendosë përgjegjësi të qarta për prodhuesit dhe grumbulluesit e mbetjeve, duke i ndihmuar ata të respektojnë detyrimet ligjore dhe të aplikojnë standarde të larta sigurie dhe higjiene.

Ndërkaq, shkeljet e kërkesave do të përbëjnë kundërvajtje administrative dhe do të dënohen sipas legjislacionit në fuqi. Masat përfshijnë sanksione të përpjesëtuara me natyrën e shkeljes, të menduara për të penguar përsëritjen, si dhe mund të çojnë deri në pezullimin e përkohshëm ose të përhershëm të aktivitetit, apo edhe shfuqizimin e licencave dhe lejeve përkatëse.

Këto masa do të zbatohen nga strukturat përgjegjëse për inspektimin në fushat e mjedisit dhe të shëndetësisë, sipas kompetencave përkatëse.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat