Shqipëria Postuar më 22 Shkurt 2025, 10:10

Më shumë siguri ushqimore nga produktet blegtorale-Drafti/ Detyrime të reja për blegtorët dhe veterinerët

Nga Elisabeta Dosku

Më shumë siguri ushqimore nga produktet blegtorale-Drafti/ Detyrime

Qeveria ka vendosur rregulla të reja që synojnë të fuqizojnë zinxhirin e sigurisë ushqimore tek produktet blegtorale. Projektligji për “Shëndetin e kafshëve”,  i depozituar për diskutim në Komisionet Parlamentare,  ka për qëllim të përcaktojë rregullat për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve të kafshëve, të cilat janë të transmetueshme te kafshët ose te njerëzit, organizimin sipas përparësive të klasifikimit të sëmundjeve dhe përcaktimin e përgjegjësive në fushën e shëndetit të kafshëve.

Projektligji përcakton rregulla dhe detyrime në lidhje me zbulimin në kohë, njoftimin, raportimin e sëmundjeve, survejancën, programet e çrrënjosjes, si dhe për caktimin apo heqjen e statusit “i pastër nga sëmundja”.

Dispozitat e projektligjit parashikojnë, ndër të tjera, detyrime në lidhje me kontrollin e sëmundjeve, regjistrimin e miratimin e stabilimenteve dhe të transportuesve, lëvizjeve dhe gjurmueshmërisë së kafshëve, materialit riprodhues dhe produkteve me origjinë shtazore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, hyrjen e kafshëve nga vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga vende të treta, të materialit riprodhues dhe produkteve me origjinë shtazore në Shqipëri dhe eksportimin e tyre nga Shqipëria, lëvizjet për qëllime jotregtare të kafshëve të shoqërimit, që hyjnë ose dalin nga vendi, nga një shtet tjetër ose territor i tij dhe masat urgjente që merren, në rast të shfaqjes së një situate urgjente në lidhje me një sëmundje.

Drafti synon të përafrohet me legjislacionin e BE dhe efektet që pritet të sjellë janë përmirësimi i standardeve në lidhje me parandalimin, kontrollin dhe çrrënjosjen e sëmundjeve të kafshëve, sipas rregullave që aplikohen në Bashkimin Evropian; përmirësimi i sistemit të informacionit dhe të raportimit; garantimi i sigurisë ushqimore për produktet me origjinë shtazore, që origjinojnë nga kafshë me status shëndetësor të pastër; nxitja e investimeve në blegtori dhe agropërpunim e, rrjedhimisht, rritjen e punësimit e zgjerimin e eksporteve në tregun evropian dhe në vende të tjera.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat