Shqipëria Postuar më 18 Mars 2025, 13:26

“Më shumë se 48 orë pune në javë” - Raporti: Të rinjtë shqiptarë punojnë më gjatë në rajon

Nga Ledina Elezi

“Më shumë se 48 orë pune në javë” -

Të rinjtë shqiptarë janë ata që punojnë me orare më të zgjatura në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe Evropës. Sipas një raporti të Eurofound, në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi 30% e të rinjve punojnë me orë të gjata pune. Shqipëria ka numrin më të lartë të të rinjve që punojnë më shumë se 48 orë në javë. Konkretisht, 58% e tyre punojnë më gjatë se orari zyrtar i punës. Gjithashtu, vendi ynë ka nivelin më të ulët të të rinjve që nuk marrin një orë pushim nga puna. Direkt pas nesh vjen Kosova, me gati gjysmën e të rinjve që punojnë me orë të zgjatura.

Pavarësisht se numri i të rinjve shqiptarë që punojnë më shumë se 48 orë në javë është më i lartë se i atyre nga rajoni dhe Evropa, të dhënat nga raporti tregojnë se sërish shqiptarët bashkë me maqedonasit, janë ata që dinë të balancojnë më mirë punën me angazhimet familjare dhe sociale, në krahasim me Bashkimin Evropian. Sipas statistikave, 84% e të rinjve në Shqipëri nuk e kanë të vështirë dhe janë në gjendje të bëjnë një balancim të duhur midis punës dhe angazhimeve familjare, apo shoqërore.

Gjithashtu, edhe pse punojnë me orë më të zgjatura, shumica e të rinjve në vendin tonë nuk janë të detyruar të punojnë me shpejtësi, apo me afate të ngushta kohore. Edhe për sa i takon punëve të përkohshme, të rinjtë shqiptarë kanë pothuajse katër herë më pak gjasa të angazhohen në punë të përkohshme, pra për një periudhë të shkurtër kohore, sesa të rinjtë në BE.

Nga ana tjetër, Eurofound, në një anketim të realizuar me të rinjtë shqiptarë që studiojnë jashtë vendit, del në përfundimin se gjysma nuk duan të kthehen më të punojnë në Shqipëri. 50% e tyre do të ktheheshin vetëm pasi të kishin ndjekur arsim të mëtejshëm, ose të kishin punuar njëfarë kohe në një shtet të huaj. Megjithëse lidhjet familjare, apo dëshira për të kontribuar në vendin e tyre mund të jenë një arsye për t'u kthyer, sërish ata zgjedhin të ndërtojnë jetën e tyre jashtë vendit.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat