Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2026, 11:33

Më shumë kontroll në shkolla - Monitorim për teknologjinë, performancën dhe zhvillimin profesional të mësuesve

Nga Fabjona Pasho

Më shumë kontroll në shkolla - Monitorim për

Investimet në teknologji, performanca e shkollave dhe zhvillimi profesional i mësuesve do të jenë në fokus të monitorimit gjatë vitit të ri shkollor 2026-2027. Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit përcakton një sërë detyrash për institucionet e arsimit parauniversitar, nga përdorimi i laboratorëve Smart deri te arsimi profesional dhe programet pas mësimit.

Një nga pikat lidhet me laboratorët Smart, për të cilët shkollat duhet të monitorojnë përdorimin, funksionimin dhe mirëmbajtjen. Drejtuesit e institucioneve ku këta laboratorë janë ngritur duhet të sigurojnë përdorimin e tyre në procesin mësimor, ndërsa raportimi për mënyrën se si funksionojnë do të bëhet periodikisht. Në të njëjtën kohë, drejtuesit e shkollave dhe mësuesit do të kenë më shumë detyrime edhe në raport me zhvillimin profesional. Udhëzimi parashikon plotësimin e portofolit digjital të mësuesve në sistemin SMIP, ku përfshihen trajnimet, certifikatat, konferencat, kreditet dhe aktivitetet profesionale. Të dhënat do të monitorohen nga drejtuesit dhe strukturat përgjegjëse të arsimit. Një tjetër instrument që do të përdoret është Karta e Performancës së shkollës. Institucionet arsimore duhet të plotësojnë treguesit për vitin shkollor 2025-2026 dhe 2026-2027, ndërsa rezultatet do të shërbejnë për vlerësimin e performancës dhe evidentimin e problematikave në nivel shkolle.

Udhëzimi përcakton detyra të veçanta edhe për arsimin profesional, ku institucionet duhet të zbatojnë planet dhe rregulloret e miratuara për vitin e ri shkollor. Ky nivel arsimi mbetet i lidhur me politikat për formimin profesional dhe përgatitjen e nxënësve për tregun e punës. Në shkollat publike do të vijojë gjithashtu programi “Pas Shkolle”, i cili parashikon aktivitete akademike, sociale, kulturore, sportive dhe krijuese, ndërsa organizimi, pjesëmarrja e nxënësve dhe aktivitetet e zhvilluara do të regjistrohen e monitorohen përmes SMIP-it. Pjesë e punës së shkollave gjatë vitit 2026-2027 do të jenë edhe një sërë projektesh të financuara nga Bashkimi Europian, UNICEF dhe partnerë të tjerë, me fokus aftësitë e nxënësve, teknologjinë, digjitalizimin dhe zhvillimin e kompetencave që lidhen edhe me të ardhmen e tyre profesionale.

Vëmendje e shtuar I kushtohet edhe sigurisë së nxënësve në shkolla. Institucionet duhet të zbatojnë masat për parandalimin e dhunës, bullizmit dhe ekstremizmit, të monitorojnë rastet problematike dhe të forcojnë bashkëpunimin me prindërit dhe komunitetin. Po ashtu, drejtuesit duhet të zbatojnë rregullat për kufizimin e përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve të lidhura me to gjatë qëndrimit në shkollë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat