Shqipëria Postuar më 20 Gusht 2026, 12:30

Më shumë dëme për kompanitë e sigurimit - AMF: U shtuan me 12% në 7 muaj. Bonus-malus ndikoi në produktet motorike

Nga Ledina Elezi

Më shumë dëme për kompanitë e sigurimit -  AMF: U

Tregu i sigurimeve në Shqipëri ka vijuar të zgjerohet gjatë shtatë muajve të parë të vitit, por pas kësaj ecurie qëndrojnë disa faktorë që kanë ndryshuar si të ardhurat e kompanive, ashtu edhe nivelin e dëmeve të paguara.

Në periudhën janar-korrik, primet e shkruara bruto u rritën me rreth 3%, ndërsa dëmet e paguara u shtuan me mbi 12%. Pra, ritmi i rritjes së dëmeve ka qenë dukshëm më i lartë se ai i primeve.

Një nga faktorët kryesorë lidhet me sigurimet motorike. Sipas të dhënave, dinamika e tyre është ndikuar nga ndryshimet në faktorët e riskut, të përcaktuara në rregulloren përkatëse, si edhe nga ndryshimet në tarifat e sigurimit. Në të njëjtën kohë, lëvizja e automjeteve drejt vendeve kufitare dhe vendeve anëtare të CEFTA-s ka ndikuar në strukturën e produkteve të sigurimit motorik, përfshirë sigurimet e lidhura me kartonin jeshil dhe sigurimet kufitare.

Këto zhvillime janë reflektuar edhe te dëmet. Në sigurimet motorike, dëmet e paguara u rritën me mbi 12%, duke treguar një presion më të madh mbi kompanitë e sigurimit.

Edhe te sigurimet vullnetare, rritja e dëmeve është ndikuar nga shtimi i rasteve të aksidenteve, dëmeve të lidhura me shëndetin dhe përgjegjësisë civile. Kjo rritje është zbutur pjesërisht nga rënia e dëmeve në sigurimet ndaj zjarrit, forcave të natyrës dhe dëmtimeve të tjera në pronë.

Ndërkohë, te sigurimet e Jetës, rritja e dëmeve lidhet kryesisht me kontratat e produktit Flexi Plan, ndërsa ecuria e primeve është ndikuar edhe nga performanca e produkteve të lidhura me kreditimin.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, të dhënat e muajve të fundit tregojnë një stabilizim të aktivitetit të dëmeve. Si numri i rasteve, ashtu edhe vlera e pagesave kanë ruajtur nivele relativisht të qëndrueshme, duke dhënë sinjale për një ecuri më të stabilizuar të tregut në pjesën tjetër të vitit.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat