Shqipëria Postuar më 9 Tetor 2025, 13:12

Më pak humbje energjie në rrjet - ERE: Në janar-gusht niveli arriti në 16.44%

Nga Ola Mitre

Më pak humbje energjie në rrjet - ERE: Në janar-gusht niveli

Niveli i humbjeve në rrjetin e shpërndarjes për 8 - mujorin e parë të këtij viti u regjistrua në 16.44%, apo 1.12 % më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ku humbjet përllogariteshin në 17.56%. Të dhënat janë publikuar nga Enti Rregullator i Energjisë, që tregojnë tendencën rënëse të raportuar edhe gjatë muajve të mëparshëm.

Humbjet e energjisë në rrjet vijnë për 2 arsye. E para lidhet me rrjetin e amortizuar, që konsiderohen si humbje teknike e që përbëjnë dhe sasinë më të madhe të humbjeve, ndërsa për t’i reduktuar nevojiten investime në rrjetin elektrik. Ndërkohë që, arsyeja e dytë përfshin humbjet joteknike apo thënë ndryshe vjedhjet. Për të reduktuar këtë tregues ndërmerren kontrolle për abuzime me energjinë elektrike tek subjekte të ndryshme në vend.

Sipas planit të rishikuar nga Këshilli i Ministrave, viti 2025 duhet të mbyllet me një nivel humbjesh prej 18.1%, ndërsa në vitin 2026 humbjet duhet të jenë në nivelin 17.8%. Ndërkohë, sipas programit qeverisës 2025 -2029 synimi është që brenda 4 vitesh humbjet e energjisë në shpërndarje të ulen në më pak se 12%. Sipas programit, ky rezultat do të arrihet duke u bazuar në teknologjitë e reja të matjes.

Humbjet e larta në rrjetin elektrik pasohen me fatura të larta për kompanitë publike të energjisë, ndaj dhe reduktimi do të sillte shëndoshjen e bilanceve të tyre financiare e rrjedhimisht rritjen e investimeve, por edhe politika për uljen e çmimit të energjisë. 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat