Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2026, 16:53

Më 27 Korrik, konferencë ndërkombëtare në Tiranë/ ‘Përballja me manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjen e huaj’

Nga Scan TV


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë më 27 Korrik në Tiranë konferencën ndërkombëtare “Përballja me Manipulimin dhe Ndërhyrjen e Huaj në Informacion (FIMI): Shqipëria dhe Konteksti i Zgjerimit”. Në fokus do të jenë sfidat që lidhen me sigurinë e informacionit, demokracinë dhe mbrojtjen e hapësirës publike nga ndërhyrjet e huaja.
Konferenca do të mbledhë përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ekspertë të fushës, akademikë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit të teknologjisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Ukraina, Gjeorgjia, Moldavia dhe Shqipëria.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, theksoi rëndësinë e një qasjeje të përbashkët mes partnerëve për përballimin e manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjes së huaj.
Sipas tij, vendet e procesit të zgjerimit duhet të jenë pjesë aktive e këtij diskutimi, duke ndarë përvojat e tyre dhe duke kontribuar në forcimin e qëndrueshmërisë demokratike të Evropës.
Konferenca shkruan ministri Hoxha në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, synon të krijojë një hapësirë për shkëmbimin e praktikave më të mira dhe diskutimin e mekanizmave konkretë për rritjen e rezistencës ndaj fushatave të dezinformimit, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe përfshirjen e aktorëve të ndryshëm, përfshirë median, akademinë, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.
Aktiviteti zhvillohet në një periudhë kur manipulimi i informacionit dhe ndërhyrjet e huaja konsiderohen ndër sfidat kryesore për demokracitë evropiane dhe proceset e integrimit të vendeve kandidate për në BE.

Europa 23 Korrik Dorian Koça

BE i vendos Google gjobë prej 890 milionë euro

Komisioni Evropian njoftoi të enjten një gjobë prej 890 milionë euro kundër Google për praktikat e dyshuara të vetëpreferencës dhe trajtimin e padrejtë të......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat