Shqipëria Postuar më 10 Mars 2026, 13:56

Mbijetesa e turizmit në kohë trazirash - A do të zhvendosen turistët e Turqisë drejt vendeve të sigurta?

Nga Diamila Leka

Mbijetesa e turizmit në kohë trazirash - A do të zhvendosen

Pasiguria për të udhëtuar apo për të planifikuar pushime në periudha trazirash po ndikon ndjeshëm në industrinë e aviacionit dhe turizmit global. Rritja e kostove të karburantit, por mbi të gjitha frika nga përshkallëzimi i konflikteve, ka sjellë një rënie të menjëhershme të kërkesës në disa nga destinacionet kryesore.

Në këtë kuadër, vëmendja zhvendoset te Turqia, si një nga "magnetet" kryesore të turizmit për tregun shqiptar dhe atë ballkanik. Pyetja që ngrihet është nëse turistët do të nisin të kërkojnë alternativa më të largëta nga vatrat e konfliktit, si Spanja apo Italia.

Besnik Vathi Kreu i Tur Operatorëve: “Në momentin që Turqia nuk është përfshirë akoma në këtë luftë, unë besoj që nuk do ketë devijim të turizmit nga Turqia drejt vendeve të tjera. Përfshirja e Turqisë mbase do ishte shumë më e rëndë, jo thjesht për turizmin në Turqi, por për turizmin në rang global. Zgjerimi dhe përshkallëzimi i situatës duke futur Turqinë, duke futur NATO-n, duke futur rajone të tjera, unë mendoj që nuk do ishte mirë për turizmin në përgjithësi, në çdo vend të botës, jo thjesht drejt Turqisë.”

Sipas Vathit, edhe në raste të mëparshme të tensioneve me Rusinë apo trazirave të brendshme, tregu turk ka treguar një rezistencë, duke u rikuperuar shumë më shpejt se destinacionet e tjera globale. Për operatorët turistikë, sfida mbetet mbajtja e ofertave konkurruese për të nxitur udhëtimet në këto kohë të pasigurta.

“Duke pasur eksperiencën e ngjarjeve të shumta gjatë 30 viteve në Turqi, apo edhe situatën me Ukrainën, përgjithësisht luftërat janë lokalizuar në ato vende ku bëhen. Pra, vetëm bllokohet trafiku në atë vend ku lufta apo rajoni është i përfshirë dhe fillojnë fluturimet apo udhëtimet në destinacionet e tjera në ato përmasa që ka. A do ketë devijim? Unë kujtoj që shqiptarët kanë shkuar për turizëm edhe në kohën kur Öcalan, i një partie kurde, zhvillonte akte terroriste në Turqi këtu e 25 vite më parë. Apo në konfliktin që pati Rusia me Turqinë, nuk shkuan rusët por nga Ballkani, nga Shqipëria, turizëm kishte. Apo edhe në rastin e grushtit të shtetit në Turqi që zgjati një javë, mbas një jave e dhjetë ditësh çdo gjë u normalizua. Nuk besoj... Turqia është mësuar të ketë situata, por ja ka dalë të dalë shpejt nga zona e konfliktit.”

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat