Shqipëria Postuar më 16 Dhjetor 2025, 10:37

Mbi 89 mijë makina të reja të regjistruara në 11 muaj - DPSHTRR: Flotë më moderne dhe më e sigurt

Nga Ernilda Luzi

Mbi 89 mijë makina të reja të regjistruara në 11 muaj -

Tregu i automjeteve në vend po përjeton një rritje të konsiderueshme. Gjatë periudhës Janar- Nëntor 2025, janë regjistruar për herë të parë 89.654 mjete, një shifër që përfaqëson një rritje prej 96% krahasuar me vitin 2019.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. nga totali i mjeteve të regjistruara, 73.066 janë autovetura, të cilat përbëjnë 81.5% të regjistrimeve. Dominimi i autoveturave në treg nënvizon orientimin e qytetarëve drejt mjeteve funksionale dhe të përshtatshme për nevojat e përditshme të lëvizjes. Këto të dhëna janë një tregues i qartë i modernizimit dhe i rritjes së standardeve të përdorimit të mjeteve rrugore.

Paralelisht me rritjen e tregut, një element kyç për garantimin e sigurisë është edhe kontrolli teknik i mjeteve. Gjatë 11 muajve të parë të vitit 2025 janë kontrolluar mbi 297 mijë mjete në të gjithë vendin. Një pjesë e konsiderueshme e tyre, pas evidentimit të problematikave teknike, janë riparuar dhe rikthyer në qarkullim, duke përmbushur standarde më të larta sigurie.

Gjithashtu, procesi i pastrimit të flotës nga mjetet e amortizuara ka vijuar me intensitet. Mbi 7.859 mjete të vjetra janë çregjistruar përfundimisht, një hap i rëndësishëm drejt rrugëve më të sigurta dhe një mjedisi më të pastër. Ky proces ndikon drejtpërdrejt në uljen e ndotjes dhe në përmirësimin e sigurisë për të gjithë përdoruesit e rrugës.

DPSHTRR u bën thirrje qytetarëve që të rezervojnë online takimin për kontrollin e mjetit përmes portalit e-Albania. Siguria rrugore nis nga një mjet i kontrolluar dhe i mirëmbajtur, i gatshëm për të përballuar çdo udhëtim.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat