Shqipëria Postuar më 25 Shkurt 2026, 10:29

Mbi 712 mijë pasagjerë në janar - Cilat janë destinacionet më të kërkuara në Aeroportin e Tiranës?

Nga Ernilda Luzi

Mbi 712 mijë pasagjerë në janar - Cilat janë destinacionet

Muaji i parë i vitit 2026 u mbyll me tregues pozitivë për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku janë regjistruar 712.030 pasagjerë dhe 4.238 fluturime të operuara. Sipas TIA-s, këto të dhëna konfirmojnë një fillim të qëndrueshëm të vitit në aspektin e trafikut ajror dhe lidhjeve ndërkombëtare.

Gjatë këtij muaji, TIA lidhi Shqipërinë me 71 destinacione në 21 shtete, të operuara nga 17 linja ajrore. Rrjeti i konsoliduar dhe i diversifikuar i destinacioneve ka mundësuar ruajtjen e një fluksi të qëndrueshëm udhëtarësh, pavarësisht periudhës jashtë sezonit turistik.

Ndërkohë, sipas të dhënave nga TIA, destinacionet më të kërkuara për janarin 2026 ishin Milano, Londra, Roma, Pisa dhe Venecia.

Janari shënon një nisje pozitive për vitin 2026. Nga ana tjetër, sipas statistikave zyrtare të publikuara nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI), Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës përpunoi gjithsej 11.6 milionë pasagjerë gjatë vitit 2025. Ky rezultat përfaqëson një rritje prej 8.7% krahasuar me vitin 2024, duke reflektuar rritjen e vazhdueshme të kërkesës për udhëtime ajrore dhe zhvillimin e sektorit të turizmit.

Gjatë vitit 2025, u shtuan 15 destinacione të reja dhe 7 linja ajrore partnere. Me një rrjet prej 83 destinacionesh, 27 linjash ajrore dhe lidhje me 25 shtete, TIA po ofron më shumë zgjedhje për pasagjerët shqiptarë duke forcuar lidhjet e Shqipërisë me Europën. TIA mbetet porta kryesore e udhëtimeve për shqiptarët dhe vizitorët që zgjedhin të fluturojnë nga Tirana.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat