Shqipëria Postuar më 18 Mars 2025, 10:05

Mbi 410 mln lekë për regjistrimin fillestar të pronave - Në 106 zona kadastrale, kryesisht në veri të vendit

Nga Ernilda Luzi

Mbi 410 mln lekë për regjistrimin fillestar të pronave - Në

Operatori i Blerjeve te Përqendruara ka shpallur hapjen e tenderit për regjistrim fillestar për 106 zona kadastrale. Fondi limit i përllogaritur është 410 milionë e 679 mijë e 250 lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ka ndërmarrë këtë projekt, i cili ka për qëllim realizimin e procesit të regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme në zonat kadastrale, që nuk operojnë në sistemin e pasurive të paluajtshme.

Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, nga 3058 zona kadastrale që ASHK administron në të gjithë territorin e vendit, evidentohen rreth 225 zona kadastrale ku nuk është kryer procesi i regjistrimit fillestar, pa përfshirë zonat kadastrale ku ky proces është në vijim.

Për realizimin e këtij projekti ASHK ka evidentuar 106 zona kadatrale të shtrira kryesisht në qarqet veriore të vendit, ku nuk është kryer procesi i regjistrimit fillestar, duke plotësuar kështu 100% regjistrimin fillestar në pjesën e qarqeve veriore në Republikën e Shqipërisë.

Këto zona kadastrale shtrihen në qarqet Kukës 48 ZK, Shkodër 37 ZK, Dibër 12 ZK, Elbasan 5 ZK, Lezhë 3 ZK, Durrës 1 ZK, të cilat për arsye të vështirësive teknike dhe pamundësisë financiare nuk e kanë kryer procesin e regjistrimi fillestar. Sipas dokumentit, zonat kadastrale që janë pjesë e këtij projekti ndodhen kryesisht në terrene të vështira malore. Transporti dhe infrastruktura janë të vështira, parcelat e pasurive janë të vogla dhe të shpërndara edhe në zona të mirëfillta pyjore dhe kullosore. Në përgjithësi në këto zona kadastrale nuk ka ndodhur një proces i rregullt i ndarjes së tokës bujqësore me Ligjin 7501. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet se përse në këto zona nuk ka ndodhur më parë procesi i regjistrimit fillestar.

Referuar dokumentit, përfundimi i regjistrimit fillestar në të gjithë vendin është një nga prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare për realizimin e reformës në fushën e të drejtave të pronësisë dhe të reformës së menaxhimit të integruar të tokës, si dhe një nga kriteret kryesore që duhet të përmbushen nga shteti shqiptar në drejtim të reformimit të shërbimeve publike në lidhje me të drejtat e pronësisë në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE.

Gjithashtu, realizimi i regjistrimit fillestar i pasurive të paluajtshme në të gjithë territorin e vendit është thelbësor për realizimin e investimeve të parashikuara, si dhe për t’i hapur rrugë investimeve të reja publike apo private në vend.

Ky projekt përputhet me Dokumentin e politikës “Agjenda kombëtare e reformave 2024–2027” në kuadër të instrumentit të Bashkimit Evropian “Faciliteti për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor”. Një nga reformat e përcaktuara në këtë dokument është sigurimi i transparencës dhe efikasitetit të shërbimeve të kadastrës shtetërore, për investitorët dhe qytetarët, dhe ofrimi i një politike të qartë për përdorimin e tokës, ku si prioritet është përcaktuar regjistrimi fillestar i kryer në 95% të të gjitha zonave kadastrale deri në qershor 2026.

Gjithashtu, sipas dokumentit parashikohet që Agjencia Shtetërore e Kadastrës deri në qershor të vitit 2026 të ketë kryer procesin e regjistrimit rillestar për 108 zona Kadastrale.

 

Sondazh

Poll
Shqipëria 18 Mars Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo ditë për valutat kryesore?

Dollari amerikan edhe pse me një rënie të ;lehtë nga dje e ka nisur ditën pozitivisht në rritje duke u blerë këtë mëngjes me 90.8 lekë dhe duke u shitur me......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat