Shqipëria Postuar më 8 Janar 2026, 10:39

Mbi 338 mijë automjete të kontrolluara në 2025 - DPSHTRR: 23.5% e tyre, me probleme teknike dhe nuk e kaluan testin

Nga Ernilda Luzi

Mbi 338 mijë automjete të kontrolluara në 2025 - DPSHTRR: 23.5% e

Gjatë vitit 2025 në të gjithë vendin janë kryer 338.880 testime teknike të automjeteve, ku një numër i konsiderueshëm nuk arritën të përmbushin standardet e kërkuara për qarkullim. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor bën me dije se 23.5% e automjeteve nuk e kaluan testin teknik.

Në total, 81.065 automjete u refuzuan, kryesisht për shkak të problemeve që lidhen me sigurinë teknike dhe ndikimin në mjedis, si: shkarkimi i gazrave 37.6%; probleme me defektet vizuale 34.4%; probleme me sistemin e frenimit zënë 15.2% të refuzimeve e ndërsa defektet në drejtim dhe pezullim përbëjnë 12.8%.

Pjesën më të madhe të automjeteve të kontrolluara e përbëjnë automjetet personale, me 86.6%, të ndjekura nga kamionët me 6.3%, motomjetet me 4.5%, autobusët me 1.6%, si dhe rimorkiot dhe mjetet e punës.

Pas kryerjes së rregullimeve dhe riparimeve të nevojshme 73.230 automjete u ritestuan me sukses dhe u rikthyen në qarkullim, tashmë me standarde më të larta sigurie. Megjithatë, 7.502 mjete vijojnë të jenë ende në pritje të riparimit. Ndërkohë, 333 mjete u refuzuan përfundimisht, pasi gjatë kontrollit u konstatua manipulim i odometrit, një shkelje që cenon sigurinë.

Një tjetër element është edhe çregjistrimi përfundimtar i automjeteve të vjetra. Gjatë vitit 2025, mbi 9.333 mjete u nxorën jashtë qarkullimit, një hap drejt rrugëve më të sigurta dhe një mjedisi më të pastër.

DPSHTRR thekson se kontrolli teknik garanton automjete më të sigurta dhe rrugë më të mbrojtura për të gjithë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat