Shqipëria Postuar më 20 Korrik 2026, 10:29

Mbi 201 mijë mjete iu nënshtruan kontrollit teknik - DPSHTRR publikon shifrat e gjysmës së parë të vitit

Nga Ernilda Luzi

Mbi 201 mijë mjete iu nënshtruan kontrollit teknik - DPSHTRR

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor publikon bilancin e kontrollit teknik dhe regjistrimit të mjeteve për periudhën janar–qershor 2026.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë testuar 201 mijë e 320 mjete në Qendrat e Kontrollit Teknik në të gjithë vendin. Peshën kryesore të testimeve e zënë automjetet me kapacitet 4+1 dhe 8+1 vende, me 177 mijë e 212 mjete të kontrolluara, ose 88% të totalit.

Ndërkohë, janë testuar edhe 10.601 kamionë, që përbëjnë 5.3% të totalit, 9.688 motomjete ose 4.8%, 2.335 autobusë, 796 rimorkio, si dhe 688 mjete ndërtimi dhe punimi toke. Kontrolli teknik është një nga procedurat e detyrueshme për qarkullimin e mjeteve, me qëllim verifikimin e kushteve teknike dhe garantimin e standardeve të sigurisë rrugore.

DPSHTRR gjithashtu ka publikuar edhe të dhënat për regjistrimet e automjeteve të reja. Gjatë periudhës janar- qershor 2026 janë regjistruar 13.259 mjete të moshës 0 deri në 4 vite. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2025 vërehet një rritje prej 40%, duke treguar një tendencë në rritje të zgjerimit të flotës me automjete më të reja dhe me standarde më të larta teknike e mjedisore.

Këto të dhëna tregojnë një tendencë të zgjerimit të flotës së automjeteve më të reja në vend, si edhe vijimësinë e procesit të kontrollit teknik për garantimin e sigurisë rrugore. Gjithashtu, këto shifra pasqyrojnë vijimin e procesit të modernizimit të automjeteve në vend, ndërsa kontrollet teknike mbeten një element kyç për rritjen e sigurisë në rrugë dhe për garantimin e qarkullimit të mjeteve që plotësojnë kriteret e kërkuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat