Shqipëria Postuar më 13 Gusht 2026, 13:49

Mbi 1.6 mld lekë për rigjenerimin urban të banesave në 12 qarqe - FSHZH hap garën, synohet rritje e eficiencës energjetike e përmirësim të kushteve

Nga Ernilda Luzi

Mbi 1.6 mld lekë për rigjenerimin urban të banesave në 12

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur hapjen e garës për projektin “Rigjenerimi urban i stokut të banesave, Faza IV”, që parashikon ndërhyrje në 12 qarqe të vendit, me synim përmirësimin e kushteve të banimit, eficiencës energjetike dhe pamjes urbane.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik Projekti është ndarë në dy grupe qarqesh. Në grupin e parë përfshihen Elbasani, Korça, Berati, Vlora, Fieri dhe Gjirokastra, ndërsa në grupin e dytë Shkodra, Kukësi, Lezha, Durrësi, Tirana dhe Dibra. Për secilin prej dy projekteve, fondi limit i përllogaritur është 833 milionë e 333 mijë lekë. Në total, fondi i parashikuar arrin në rreth 1 miliard e 666 milionë lekë.

Qëllimi i investimit është rehabilitimi i stokut ekzistues të banesave dhe përmirësimi i infrastrukturës përreth tyre. Sipas projektit, ndërhyrjet synojnë jo vetëm ndryshimin e pamjes së pallateve, por edhe rritjen e eficiencës energjetike, sigurisë dhe jetëgjatësisë së ndërtesave.

Një ndër ndërhyrjet kryesore do të jetë termoizolimi i fasadave, që do të përmirësojë performancën energjetike të ndërtesave dhe mbrojtjen e tyre nga faktorët atmosferikë. Parashikohet gjithashtu rehabilitimi i sipërfaqeve të dëmtuara të fasadave, realizimi i rifiniturave dekorative dhe mbrojtëse, si dhe sistemimi i elementeve të ndryshme që kalojnë ose ndërhyjnë në fasadën e ndërtesave.

Referuar dokumentit, në kuadër të projektit do të kryhen edhe punime në tarraca dhe në sistemet e kullimit të ujërave të shiut. Ndërkohë, në zona të caktuara parashikohet edhe përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë.

Pjesë e projektit do të jenë edhe ndërhyrjet artistike, përmes realizimit të pikturave murale në fasadat e përzgjedhura. Synimi është që rehabilitimi fizik i ndërtesave të shoqërohet edhe me përmirësimin e imazhit urban të lagjeve. Sipas parashikimeve të projektit, investimi pritet të sjellë përmirësim të drejtpërdrejtë të kushteve të banimit për komunitetet që jetojnë në këto blloqe. Përveç aspektit estetik, ndërhyrjet synojnë uljen e humbjeve energjetike dhe rritjen e komfortit të banorëve.

Godinat e rinovuara sipas parimeve të eficiencës së energjisë, jo vetëm reduktojnë konsumin e energjisë çka rrjedhimisht sjelle dhe ulje të emetimeve, duke mbrojtur mjedisin, por ofrojnë edhe kushte komode jetese për qytetarët.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat