Shqipëria Postuar më 7 Janar 2026, 12:05

Mbi 140 mijë të punësuar, detyrim për DIVA-n/ Kush duhet të deklarojë? Afati, data 31 Mars

Nga Elisabeta Dosku

Mbi 140 mijë të punësuar, detyrim për DIVA-n/ Kush duhet

Afro 140 mijë të punësuar me të ardhura mujore bruto mbi 100 mijë lekë apo të ardhura vjetore mbi 1.2 milionë lekë, do të kenë detyrim për plotësimin  Deklaratës Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) brenda datës 31 Mars 2026.

Ky detyrim lind për çdo individ, shtetas shqiptar ose i huaj, kur të ardhurat e tij vjetore bruto kalojnë shumën 1.2 milionë lekë nga të gjitha burimet. Këto burime përfshijnë paga dhe shpërblime nga marrëdhëniet e punësimit, dividendë, qira, shitje të pasurisë së paluajtshme, interesa bankare, fitime nga lojërat e fatit, të drejta intelektuale si licenca dhe të drejta ekskluzive, si dhe të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Detyrimi për dorëzim ekziston edhe kur individi është në marrëdhënie punësimi me më shumë se një punëdhënës, pavarësisht nga shuma e të ardhurave që merr. Kjo përfshin rastet kur ka ndryshuar punë brenda të njëjtit muaj, edhe nëse nuk ka qenë i punësuar te dy punëdhënësit njëkohësisht.

Gjithashtu, një individ është i detyruar të dorëzojë DIVA kur ka më shumë se 50.000 lekë të ardhura nga burime të tjera që nuk i nënshtrohen tatimit përfundimtar në burim. Shembuj të tillë janë të ardhurat dhe pagesat nga platformat e internetit si Google, TikTok, Instagram, Facebook, YouTube, Airbnb, Booking, si dhe nga platformat e tregtisë si Amazon dhe Alibaba.

Individi kryen deklarimin në sistemin e tatimeve dhe më pas pajiset me urdhërpagesën përkatëse për të realizuar pagesën.

Pagesa e tatimit pas dorëzimit të DIVA kryhet përmes urdhërpagesës së gjeneruar në sistemin e administratës tatimore. Ajo mund të realizohet pranë bankave të nivelit të dytë ose nëpërmjet platformave elektronike të pagesave të miratuara nga tatimet.

Në rastet kur individët për një arsye apo tjetër nuk bëjnë deklarimin në afat, penalizohen me gjobë në vlerën 3 mijë-10 mijë lekë.  Këtë vit do të aplikohen edhe zbritje tatimore për kategori të ndryshme, kompensim për fëmijët në ngarkim deri në 48 mijë lekë dhe kompensim për shpenzimet për shkollim të fëmijëve, deri në 100 mijë lekë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat