Shqipëria Postuar më 29 Dhjetor 2025, 12:36

Mbi 1 miliard lekë investime në rrjet - Rritja e kapaciteteve të transmetimit të energjisë. OST, dy tenderë për linja 110 kV

Nga Ola Mitre

Mbi 1 miliard lekë investime në rrjet - Rritja e kapaciteteve të

Operatori i Sistemit të Transmetimit ka hapur dy procedura prokurimi për investime në rrjetin e energjisë elektrike, që synojnë fuqizimin e linjave 110 kV dhe rritjen e sigurisë së furnizimit në disa zona të vendit. Vlera totale e dy tenderëve i kalon 1 miliard lekë.

Tenderi i parë i referohet ndërtimit të linjës së re dopio qark 110 kV Sharrë–Selitë. Objekti i punimeve përfshin ndërtimin e trakteve të reja 110 kV në të dy nënstacionet, ndërtimin e linjës së re dopio qark pjesërisht ajrore dhe pjesërisht kabllore, si dhe realizimin e punimeve civile të nevojshme për integrimin e trakteve të rinj në infrastrukturën ekzistuese.

Projekti do të realizohet sipas modelit “turnkey”, duke përfshirë projektimin, prodhimin, transportin, furnizimin me pajisje, instalimin, punimet civile, testimin, komisionimin dhe vënien në punë. Fondi limit për këtë tender është rreth 525 mln lekë.

Tenderi i dytë ka si objekt fuqizimin e linjës 110 kV Kafaraj–Vlorë 1–Babicë në dopio qark dhe shtrirjen e përcjellësit në një qark. Projekti parashikon ndërtimin e një linje të re ajrore 110 kV me dy qarqe, e cila do të lidhet me traktet ekzistuese të nënstacioneve Kafaraj, Vlorë 1 dhe Babicë, ndërsa linja aktuale do të demontohet pjesërisht për të mundësuar hyrje-daljet në nënstacione, duke ruajtur të njëjtin aks. Fondi limit për këtë tender është gati 504 mln lekë.

Dy procedurat e hapura nga OST synojnë rritjen e kapaciteteve të transmetimit, përmirësimin e sigurisë së rrjetit dhe përshtatjen e infrastrukturës me kërkesat në rritje të sistemit elektroenergjetik në vend.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat