Shqipëria Postuar më 6 Mars 2026, 11:12

Mbështetje për sipërmarrjen e grave - Ministrja Ibrahimaj: Bonus 5% në grantet për startup-et e grave

Nga Ernilda Luzi

Mbështetje për sipërmarrjen e grave - Ministrja Ibrahimaj: Bonus

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bën të ditur se thirrja e grantit 2026 për startup-et parashikon një bonus prej 5% mbi pikët e vlerësimit për projektet që përmbushin kushtet e përcaktuara.

Ky bonus do të aplikohet për startup-et që drejtohen nga vajza ose gra, apo që kanë në përbërjen e tyre të ekipit të paktën 51% vajza dhe gra. Sipas ministres Ibrahimaj, ky bonus synon të nxisë dhe të fuqizojë rolin e vajzave dhe grave në sipërmarrje, si dhe të promovojë zhvillimin e ideve inovative që lidhen me ekonominë e gjelbër dhe atë digjitale.

Gjithashtu, nëse projekti plotëson këto kritere në fund të procesit të vlerësimit i shtohet 5% bonus mbi pikët e marra nga kriteret e vlerësimit. Për shembull, nëse një aplikim merr 60 pikë nga komisioni, rezultati përfshin edhe bonusin prej 5%.

Një tjetër kriter i rëndësishëm për përfitimin e këtij bonusi është që aktiviteti kryesor i startup-it të ofrojë zgjidhje inovative që kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër dhe/ose ekonomisë digjitale. Kjo është një mundësi mbështetjeje për startup-et në kuadër të Grant 2026.

Po kështu, kjo nismë synon të inkurajojë projekte që përdorin teknologjinë, inovacionin dhe praktikat e qëndrueshme për të sjellë zhvillim ekonomik dhe për të adresuar sfidat mjedisore.

Aplikantët duhet të dorëzojnë aplikimin e tyre në platformën e- Albania. Agjencia për Zhvillimin e Startup-eve dhe Inovacionit do të monitorojë projektet dhe do të sigurojë që ato të përmbushin objektivat e përcaktuara.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat