Shqipëria Postuar më 8 Shtator 2026, 12:54

Mbështetje për sipërmarrëset - BSH dhe BERZH lançojnë Kodin për rritjen e aksesit në financë të grave në biznes

Nga Ledina Elezi

Mbështetje për sipërmarrëset - BSH dhe BERZH

Banka e Shqipërisë dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) lançuan sot “WE Finance Code Albania – Kodi për Financimin e Grave Sipërmarrëse”, me qëllim rritjen e aksesit në financim për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (MSME) të drejtuara apo në pronësi të grave.

Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko e vlerësoi këtë nismë si një angazhim të rëndësishëm që synon të mbështesë zhvillimin e sipërmarrjes së grave, përmes një qasjeje të bazuar në të dhëna, bashkëpunimit institucional dhe veprimeve konkrete. 

“Sot, Shqipëria i bashkohet zyrtarisht iniciativës globale ËE Finance Code - Kodi për Financimin e Grave Sipërmarrëse. Ne e konsiderojmë këtë si një angazhim të rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të përfshirjes financiare dhe për krijimin e një kuadri më të strukturuar që na mundëson të kuptojmë më mirë dhe të adresojmë nevojat e grave sipërmarrëse në aksesin në financë. Por mbi të gjitha, e shohim këtë iniciativë si një mundësi për të mobilizuar më mirë të gjithë ekosistemin financiar dhe institucional rreth një objektivi të përbashkët”, tha Sejko.

Një nga rezultatet konkrete të nismës është krijimi i panelit analitik kombëtar të financimit të MSME-ve. Ky instrument krijon një bazë të re njohurie për tregun, duke bërë të mundur analizimin e integruar të informacionit mbi kreditë dhe depozitat me karakteristikat e bizneseve. Megjithatë, sipas Sejkos, suksesi i kodit do të përcaktohet nga mundësitë që do të krijohen për gratë sipërmarrëse.

“Suksesi i Kodit për Financimin e Grave Sipërmarrëse në Shqipëri nuk do të përcaktohet nga paneli analitik që publikojmë, apo nga numri i institucioneve që angazhohen. Ai do të përcaktohet nga mundësitë reale që krijojmë për gratë sipërmarrëse. Suksesi do të jetë kur një grua me një ide të mirë biznesi të ketë akses në informacion, produkte dhe financim që i mundësojnë asaj ta kthejë atë ide në një biznes të qëndrueshëm dhe konkurrues”, u shpreh Guvernatori.

Lançimi i “WE Finance Code Albania” shënon fillimin e një procesi afatgjatë, në të cilin institucionet nënshkruese do të punojnë së bashku për të përmirësuar cilësinë e të dhënave, për të monitoruar progresin dhe për të krijuar kushte më të favorshme për zhvillimin e sipërmarrjes së grave në Shqipëri.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat