Shqipëria Postuar më 27 Mars 2025, 18:35

Mastercard, program në Shqipëri për pagesat elektronike - Nga 1 maji, 4750 terminale POS falas për tregtarët

Nga Ledina Elezi

Mastercard, program në Shqipëri për pagesat elektronike - Nga 1

Kompania amerikane e kartave Mastercard ka prezantuar një program të ri në Shqipëri për përshpejtimin e pranimit të pagesave elektronike. Përmes programit POSI, kjo kompani do të ofrojë terminale POS falas për tregtarët, me qëllim që të nxitet përdorimi i pagesave elektronike, përfshirjes financiare dhe formalizimit të ekonomisë.

Sipas Kryeministrit Edi Rama, revolucioni digjital duhet të thellohet më tepër, duke nënvizuar se 83% e atyre bizneseve që përdorin POS kanë një rritje të dinamikës dhe numrit të klientëve të tyre.

“Nga ky program, MasterCard do të shpërndajë 4750 terminale POS falas, në mënyrë që hotelet, restorantet, marketet dhe taksitë, të mund t'i aksesojnë ato pa qenë të shtrënguar që të dalin dhe t'i paguajnë në treg. Jo vetëm kaq, por MasterCrad ka edhe një limit të caktuar për përdoruesit e këtyre terminaleve, që nuk paguajnë asnjë komsionin, pra 0% të komisionit deri në një prag vjetor të caktuar. Nëse e kalojnë pragun, atëherë do të fillojnë të paguajnë komision”.

Presidenti i MasterCard për Evropën, Mark Barnett theksoi se programi do të nisë zyrtarisht në 1 maj të këtij viti.

“Programi nis me 1 maj 2025, pra vetëm pak ditë prej ditës së sotme”.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare mund të kursejë miliarda euro nga zëvendësimi i pagesave me para fizike në pagesa elektronike.

“Nga një zëvendësim i pagesave me para fizike në masën 35% po të kryhen me kartë, mund të kurseheshin mesatarisht rreth 2 miliardë lekë në nivel ekonomie. Për më tepër, nëse ky zëvendësim, pra i pagesave cash, me para fizike, në pagesa me kartë në masën 70%, nëse do të kryhej, atëherë do të kurseheshin rreth 8 miliardë lekë në nivel ekonomie”.

Megjithëse terminalet POS janë dyfishuar dhe pagesat me karta janë rritur me 7 herë në 4 vitet e fundit, sërish vendi ynë mbetet mbrapa shumë shteteve të tjera evropiane. Kjo për arsye të kulturës së rrënjosur te shqiptarët për realizimin e pagesave me para në dorë, apo kostot që kanë bizneset nga realizimi i transaksioneve me terminale POS.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat