Shqipëria Postuar më 7 Korrik 2026, 13:11

Mashtrimi tatimor, 416 çështje të përfunduara dhe 93 në hetim - Ndërtimi dhe turizmi në fokus, Tatimet forcojnë kontrollet në sektorët me risk

Nga Diamila Leka

Mashtrimi tatimor, 416 çështje të përfunduara dhe 93

Drejtoria e Hetimit Tatimor ka tejkaluar përpara afatit objektivin e vendosur në kuadër të Axhendës së Reformave dhe Instrumentit për Reformë dhe Rritje, sa i takon trajtimit të rasteve të mashtrimit tatimor. Sipas njoftimit zyrtar të Administratës Tatimore, objektivi parashikonte hetimin dhe investigimin e 500 rasteve, kryesisht në sektorë me risk të lartë si ndërtimi, turizmi dhe aktivitete të tjera me ekspozim të shtuar ndaj evazionit dhe mashtrimit tatimor. Afati për realizimin e këtij objektivi ishte qershori i vitit 2027.

Por, gjatë periudhës 1 janar 2024 deri më 30 qershor 2026, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka trajtuar 509 çështje, duke e tejkaluar objektivin rreth një vit përpara afatit të përcaktuar. Nga totali i rasteve të trajtuara, 416 çështje janë përfunduar, ndërsa 93 të tjera vijojnë të jenë në proces aktiv hetimi dhe verifikimi, në përputhje me procedurat ligjore.

Ky objektiv është pjesë e Axhendës së Reformave, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Në këtë kuadër, Administrata Tatimore është institucioni përgjegjës për zbatimin e 5 reformave në fushën e mjedisit të biznesit dhe konkurrencës. Këto reforma synojnë përmirësimin e klimës së biznesit, forcimin e konkurrencës së ndershme, rritjen e transparencës dhe modernizimin e administrimit tatimor, në përputhje me standardet dhe acquis-in e Bashkimit Europian.

Përmbushja përpara afatit e këtij objektivi, sipas Tatimeve, dëshmon rritjen e efektivitetit të masave për parandalimin, zbulimin dhe hetimin e mashtrimit tatimor. Administrata Tatimore vlerëson se ky rezultat kontribuon në forcimin e integritetit të sistemit tatimor, garantimin e konkurrencës së ndershme në treg, si dhe në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat