Shqipëria Postuar më 5 Korrik 2025, 10:49

Mashtrimi i Bankers me taksat, Gjykata nis procesin - Penalizimi pas 6 muajve hetime nga Drejtoria e Tatimeve

Nga Ledina Elezi

Mashtrimi i Bankers me taksat, Gjykata nis procesin - Penalizimi pas 6 muajve

Drejtuesit e kompanisë “Bankers Petroleum” do të përballen me procesin gjyqësor që ka nisur në gjykatën e Fierit. Të shtunën paradite të arrestuarit në kuadër të operacionit hetimor të zhvilluar në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, kanë dalë para gjykatësve për të dhënë dëshmitë e tyre dhe për tu njohur me akuzat që rëndojnë mbi to. Mes 9 të arrestuarve janë drejtori i kompanisë Hong Ping Xiao dhe ish - administratori Leonidha Çobo. Në total, janë lëshuar 14 masa sigurimi, por 5 persona gjenden në arrati.

Prokuroria e Fierit ka ngritur 5 akuza të cilat lidhen me krijimin e skemave mashtruese lidhur me TVSH-në, fshehje e të ardhurave, pastrim i produkteve të veprës penale, shpërdorim detyre dhe moskryerje e detyrave nga organet tatimore, duke argumentuar se ka grumbulluar prova të mjaftueshme.

Në datë 2 korrik, Administrata Tatimore ndërmori një aksion kontrolli ndaj zyrave qendrore të kompanisë Bankers Petroleum, e cila operon prej vitesh në fushën e naftënxjerrjes në zonën e Marinzës. Ky aksion erdhi pas 6 muajve hetime nga Drejtoria e Hetimit Tatimor.

Gjatë kesaj periudhe janë mbledhur prova të mjaftueshme që ngrenin dyshime të arsyeshme se Bankers ka krijuar skema mashtruese përmes fryrjes fiktive të shpenzimeve, me qëllim shmangien e pagesës së tatimfitimit dhe përfitimin e padrejtë të rimbursimit të TVSH-së.

Për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri ka shmangur detyrimet tatimore. Edhe pse kishte shitur naftë në vlera të konsiderueshme, ajo deklaronte humbje te Tatimet. Konkretisht, nga 2004 deri në 2024, kompania ka kryer shitje dhe eksporte nafte në një vlerë 532 miliardë lekësh, por pavarësisht kësaj shume, kompania ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh.

Megjithëse janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier, prej 20 vitesh, shteti shqiptar nuk ka përfituar asnjë të ardhur nga ky aktivitet.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat