Shqipëria Postuar më 20 Maj 2026, 12:23

“Masa të shtuara për sezonin turistik” - Lamallari: Garantojmë sigurinë dhe parandalojmë aksidentet

Nga Diamila Leka

“Masa të shtuara për sezonin turistik” - Lamallari:

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, prezantoi masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit dhe strukturat përgjegjëse për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror 2026, duke vënë theksin te garantimi i sigurisë, menaxhimi i flukseve dhe ofrimi i një shërbimi sa më miqësor për turistët që vizitojnë Shqipërinë.

Ministri Lamallari theksoi se “Shqipëria po njeh nga viti në vit rritje të numrit të turistëve nga Europa dhe më gjerë, çka kërkon masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë territorin”.

“Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka planifikuar shtim të pranisë policore në zonat turistike, në plazhe dhe në destinacionet malore, si dhe organizimin e patrullimeve të dedikuara dhe shërbimeve 12-orëshe gjatë periudhës 1 korrik – 31 gusht 2026. Njëkohësisht do të ngrihen stacione provizore policore pranë zonave me interes të lartë turistik, konkretisht në Valbonë, Theth, Koman, Tale, Gjirin e Lalëzit dhe Ksamil, ndërsa do të forcohet kontrolli i trafikut dhe menaxhimi i flukseve në pikat kufitare”, pohoi ministri.

Ministri Lamallari nënvizoi gjithashtu përmirësimin e mëtejshëm të procedurave të përpunimit të pasagjerëve në hyrje të vendit, duke evidentuar suksesin e përdorimit të portave elektronike “e-gates” në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, që kanë reduktuar ndjeshëm kohën e pritjes. Sipas tij, e njëjta teknologji do të shtrihet edhe në portet e Durrësit dhe Sarandës, me synimin për të lehtësuar procedurat kufitare pa cenuar standardet e sigurisë.

Në fokus të masave për sezonin turistik është edhe funksionalizimi i plotë i njësisë policore detare, e cila do të monitorojë dhe kontrollojë zonat bregdetare më të frekuentuara të vendit. Sipas ministrit Lamallari, të gjitha këto masa synojnë jo vetëm garantimin e sigurisë publike, por edhe forcimin e imazhit të Shqipërisë si një destinacion turistik i sigurt, mikpritës dhe modern.

Ndrysho madhesinë
Aa
Modaliteti i errët

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat