Shqipëria Postuar më 6 Maj 2026, 12:11

Masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore - Policia e Shtetit: Monitorime në akset kombëtare dhe qendrat urbane

Nga Diamila Leka

Masa shtesë për parandalimin e aksidenteve rrugore - Policia e

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Departamenti për Rendin dhe Sigurinë Publike, nëpërmjet Drejtorisë së Policisë Rrugore, ka marrë një sërë masash shtesë në funksion të mënyrës së re të monitorimit të qarkullimit rrugor, për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor.

Në këtë kuadër janë kalibruar 22 mjete shpejtësimatëse, janë pajisur të gjitha strukturat e Policisë Rrugore, me dronë, kamera, aparate fotografike, aparate alkooltestues dhe drogëtestues.

Dhimitraq Ziu, Drejtor i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike:

Shërbimet e Policisë në rrugët interurbane, në zbatim të telegramit të Drejtorit të Përgjithshëm, për të mos ndaluar pa shkak, automjetet në rrugët interurbane, pra në akset rrugore nacionale, do të vijojnë monitorimin e qarkullimit nëpërmjet pajisjeve logjistike dhe patrullave të lëvizshme dhe shkeljet e konstatuara nga mjetet logjistike do të verbalizohen në masa administrative, të cilat do të pasqyrohen në kohë reale në e-Albania.    

Patrullat e Policisë Rrugore në akset nacionale do të ndërhyjnë kur konstatojnë sjellje agresive në rrugë, parakalime të njëpasnjëshme, manovra të gabuara apo shpejtësi dy deri në trefish, të cilat janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore. 

Njëkohësisht do të bashkëpunohet me Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut, me qëllim që shkeljet e konstatuara t’i kalojnë Policisë Rrugore, për të plotësuar masat administrative.

Për sa i përket qendrave urbane, shërbimet e Policisë do të vijojnë me grupe kontrolli për testet e alkoolit, kontrollet për shpejtësi, parakalimet e gabuara, mosdhënien e përparësisë këmbësorëve, përdorimin e celularit dhe të rripit të sigurimit.

Nisur nga perceptimi i gabuar në publik, se drejtuesit e mjeteve nuk do të ndalohen nga patrullat, sqarojmë opinionin publik dhe përdoruesit e rrugës se:

Detyrat e vendosura në Telegramin nr. 3707, datë 10.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, “Mbi marrjen e masave për garantimin e qarkullimit të pandërprerë të mjeteve”, kanë të bëjnë me mosndalimin e automjeteve në akset rrugore nacionale, pa shkak, duke krijuar imazh të keq.

Në akset rrugore nacionale, Patrullat e Policisë Rrugore të monitorojnë qarkullimin dhe të evidentojnë kundërvajtësit rrugorë nëpërmjet pajisjeve teknologjike. 

Punonjësit e Policisë, kur evidentojnë dhe dokumentojnë me mjete logjistike, sjellje agresive të drejtuesve të automjeteve, do të veprojnë në zbatim të Kodit Rrugor.

Gjithashtu, të organizojnë pika kontrolli në qendrat urbane, sipas kushteve të sigurisë, në drejtimin e shefave të seksioneve dhe shefave të sektorëve të Policisë Rrugore, sipas planeve të dedikuara me objekt konkret (kontrolle për pije alkoolike, përdorimin e celularëve, kaskave mbrojtëse për drejtuesit e motomjeteve, mjeteve debitore dhe “Alert”, etj.)

Policia Rrugore apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat