Shqipëria Postuar më 1 Gusht 2025, 11:31

Marrëveshja për emigrantët/ Gjykata e BE-së hedh poshtë pretendimet e qeverisë italiane!

Nga Edel Strazimiri

Marrëveshja për emigrantët/ Gjykata e BE-së hedh poshtë

Gjykata Europiane e Drejtësisë ka marrë vendim të premten që vendet e Bashkimit Europian mund t’i përshpejtojnë refuzimet e kërkesave të azilit për personat që janë nga vendet që konsiderohen të "sigurta", por vetëm nëse ky përcaktim përmbush standardet strikte ligjore, dhe u mundëson aplikantëve dhe gjykatave të kenë qasje dhe t’i kundërshtojnë provat mbështetëse.

“Burimet e informacionit mbi të cilat bazohet një përcaktim i tillë duhet të jenë mjaftueshëm të arritshme, si për aplikantin ashtu edhe për gjykatën që ka juridiksion”, shkroi gjykata më e lartë e BE-së në një njoftim për shtyp.

Si pjesë e një përpjekjeje nga qeveria e krahut të djathtë në Romë për të përshpejtuar verifikimin e kërkesave për azil dhe për të lejuar më pak njerëz të hyjnë në vend, Italia ka lëshuar një listë që etiketon një numër vendesh si mjaftueshëm të sigurta për emigrantët që të mos jenë të kualifikuar për mbrojtje ndërkombëtare.

Qeveria italiane synon të sjellë emigrantët që vijnë nga vendet e përcaktuara si të sigurta dhe të ndaluar në detin Mesdhe në një qendër pritjeje në Shqipëri, ku kërkesat e tyre për azil shqyrtohen sipas një procedure të përshpejtuar.

Së fundi, Gjykata thekson se, deri në hyrjen në fuqi të një rregulloreje të re që do të zëvendësojë direktivën aktuale, një shtet anëtar nuk mund të shpallë si vend “të sigurt” një vend të tretë që nuk përmbush, për kategori të caktuara personash, kushtet thelbësore për një shpallje të tillë.

Rregullorja e re, e cila do të lejojë parashikimin e përjashtimeve për kategori të qarta dhe të identifikueshme personash, do të hyjë në fuqi më 12 qershor 2026, megjithatë, legjislatori i BE-së mund ta përshpejtojë këtë afat.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat