Shqipëria Postuar më 17 Dhjetor 2025, 21:10

Mallakastra me treg për vajin e ullirit, ministri Salla: Zgjidhni të blini shqip dhe të hani shqip

Nga SCAN TV

Mallakastra me treg për vajin e ullirit, ministri Salla: Zgjidhni të

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në Mallakastër në inaugurimin e tregut të shpendëve të gjalla dhe vajit të ullirit, një investim i Bashkisë Mallakastër në shërbim të fermerëve zonës dhe jo vetëm. Në aktivitet ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, si dhe deputeti i zonës, Klevis Jahaj.

Gjatë inaugurimit, Ministri Salla theksoi se ky treg, i hapur për herë të parë, krijon kushte të përshtatshme për tregtimin e produkteve vendase, veçanërisht gjatë periudhës festive, duke shmangur shitjen ambulante dhe duke garantuar standarde më të mira tregtimi për fermerët dhe konsumatorët. Sipas tij, këto hapësira janë thelbësore për forcimin e tregjeve lokale dhe për rritjen e vlerës së produkteve Made in Albania.

Ministri Salla vlerësoi gjithashtu rëndësinë e krijimit të një marke shqiptare për ullirin Kalinjot të Mallakastrës, duke e cilësuar atë si një model bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe fermerëve. Ai u shpreh se ky model “forcon ekonominë rurale, kapërcen prodhimin individual dhe garanton akses më të madh në financim, tregje dhe të ardhura të qëndrueshme për fermerët”.

Gjithashtu, Ministri Salla theksoi se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbështet këtë qasje përmes politikave që synojnë forcimin e tregjeve lokale, zhvillimin e zinxhirit të shkurtër të furnizimit dhe afrimin e fermerit më pranë konsumatorit, si pjesë e vizionit për një bujqësi konkurruese dhe të qëndrueshme.

Në përmbyllje, Ministri Salla përcolli një thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët: “Në këto ditë festash, zgjidhni të blini shqip dhe të hani shqip, duke mbështetur familjet fermere të zonës dhe produktet autentike shqiptare, sepse ekonomia vendase forcohet aty ku prodhimi vlerësohet”.

Tregu i ri në Mallakastër është një hap i rëndësishëm për promovimin e produkteve vendase, duke shërbyer si një shembull i bashkëpunimit mes institucioneve vendore dhe qendrore në mbështetje të bujqësisë shqiptare.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat