Shqipëria Postuar më 25 Mars 2026, 11:11

Malaj në Bruksel: Shqipëria, progres të qëndrueshëm në drejtim të konvergjencës me Bashkimin Europian

Nga Edel Strazimiri

Malaj në Bruksel: Shqipëria, progres të qëndrueshëm

Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në panelin e nivelit të lartë me temë “Zgjerimi dhe zhvillimi: Çfarë na diktojnë shifrat”, i cili u zhvillua në Bruksel, nën drejtimin e Komisioneres znj. Marta Kos. Ministri Malaj ishte pjesë e panelit së bashku me Nataša Mikuš Žigman, Ministre e Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të Bashkimit Europian të Kroacisë dhe Maria João Rodrigues, Drejtuese e “Re-Imagine Europa”, ish Ministre e Punësimit në Portugali dhe ish eurodeputete.

Paneli ishte pjesë e konferencës së organizuar nga “Future 500”, Atlantic Council dhe IEDC – Bled School of Management, e cila mblodhi së bashku politikëbërës, liderë biznesi, investitorë dhe sipërmarrës europianë për të diskutuar rritjen ekonomike, inovacionin dhe sfidave të së ardhmes.

Në diskutimin e tij, Malaj u fokusua në progresin e qëndrueshëm që po bën vendi ynë drejt arritjes së konvergjencës me Bashkimin Europian, e cila përbën një kombinim të treguesve ekonomikë, socialë dhe ligjorë. Në këtë kuadër, Ministri theksoi se Shqipëria ka shënuar një transformim të madh në dekadën e fundit, duke tejkaluar mesataren e BE-së sa i përket rritjes reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ekonomia shqiptare tregoi qëndrueshmëri përballë tri goditjeve radhazi, si tërmeti, pandemia globale dhe kriza energjetike, duke shënuar një rritje ekonomike mesatare rreth 4 % në periudhën pas pandemisë.

Ministri Malaj theksoi se vendi ka shënuar rritje të produktivitetit në 10 vitet e fundit, përkatësisht me 20.2 %, në një kohë që papunësia ka ardhur në ulje, duke arritur në 8.3 % në tremujorin e fundit të vitit 2025, nga 17 % që ishte në vitin 2013. Nga ana tjetër, investimet e huaja direkte kanë arritur në 1.21 miliardë euro gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, duke shënuar nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.

“Kjo performancë e fortë reflekton qëndrueshmërinë dhe progresin e transformimit ekonomik të Shqipërisë dhe afrimin me standardet e BE-së”, tha Malaj.

Ministri u shpreh se konsolidimi fiskal mbetet një shtysë kryesore në menaxhimin e financave publike dhe vuri në dukje faktin se borxhi publik u ul në 53% të PBB-së në vitin 2025, nga 74% që ishte në fund të vitit 2021, ndërsa deficiti buxhetor pritet të mbetet në nivele të ulëta në vitet në vijim, duke reflektuar disiplinën fiskale dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Nga ana tjetër, investimet publike pritet të mbeten në një nivel të lartë prej 6.4% të PBB-së.

Këto zhvillime, sipas z. Malaj, kanë sjellë përmirësim të vazhdueshëm të vlerësimit të kreditit sovran të Shqipërisë nga agjenci të mëdha si S&P dhe Moody’s, duke theksuar më tej rritjen e besimit në stabilitetin tonë makroekonomik dhe disiplinën fiskale.

Ministri informoi se Shqipëria ka rritur ndjeshëm investimet në infrastrukturë, transport, energji dhe digjitalizim dhe theksoi se Shqipëria po forcon lidhjen me tregjet europiane dhe po synon të kthehet në një nyje rajonale transporti dhe energjie.

Në fjalën e tij, Malaj vuri në dukje edhe progresin e Shqipërisë në digjitalizimin e shërbimeve publike, ku mbi 95% e shërbimeve ofrohen online, si dhe rëndësinë e reformave strukturore, forcimin e shtetit të së drejtës, përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

“Qeveria po avancon një agjendë gjithëpërfshirëse reformash strukturore, veçanërisht në hartimin dhe përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Europian. Iniciativat ligjore dhe institucionale në vijim janë të fokusuara në forcimin e shtetit të së drejtës, përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies. Këto reforma janë thelbësore jo vetëm për avancimin e procesit të integrimit, por edhe për ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh Malaj.

Në përfundim të fjalës së tij, Ministri tha se të gjitha këto reforma dhe politika udhëhiqen nga vizioni strategjik “Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian”, ndërsa shprehu angazhimin për të vijuar reformat dhe për të kontribuar në një Europë më të fortë përmes procesit të zgjerimit.

Gjatë qëndrimit në Bruksel, Ministri Malaj mori pjesë dhe në darkën e organizuar në kuadër të iniciativës në zhvillim FUTURE500, nga Stjepan Orešković, themeluesi i saj, si dhe nën kujdesin e Marta Kos, Komisionere Europiane për Zgjerimin. Takimi mblodhi një grup të përzgjedhur drejtuesish për të reflektuar mbi të ardhmen ekonomike afatgjatë të Europës. Në qendër të diskutimit ishte edhe vizioni i kësaj iniciative si një platformë europiane që synon të identifikojë, mbështesë dhe fuqizojë gjeneratën e ardhshme të kampionëve globalë të Europës, duke lidhur ambicien e scale-ups, kapitalin dhe politikat publike.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat