Shqipëria Postuar më 5 Qershor 2025, 15:36

Malaj: Financimi për Mira Muratin nuk prek deficitin buxhetor - “Të ardhurat shtesë u siguruan nga konfiskimi i pasurive të krimit”

Nga Hamit Yzeiraj

Malaj: Financimi për Mira Muratin nuk prek deficitin buxhetor -

Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend u shpreh se financimi prej 10 milionë euro i qeverisë shqiptare në kompaninë e Mira Muratit nuk pritet të ndikojë në deficitin buxhetor të vendit.

“Efekti financiar u mbulua nga rritja në të njëjtën masë, pra 1 miliard lekë, e të ardhurave jotatimore në zërin ‘Të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara’, si rezultat i derdhjes në buxhetin e shtetit të të ardhurave të mbledhura nga ana e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar (AAPSK/MB), në zbatim të legjislacionit në fuqi, për këtë qëllim.”

Kreu i financave tha gjithashtu se ky investim nga ana e qeverisë shqiptare në “Thinking Machines Lab” do të ketë përfitime jo vetëm financiare, por edhe mund të shërbejë si model për nxitjen e start-up-eve të reja në vend.

“Është e nevojshme që këtë investim ta shohim edhe nga pikëpamja e përfitimeve më afatgjata, qofshin ato ekonomike, por edhe të një historie suksesi që vjen nga një sipërmarrëse shqiptare, me kontribut të rëndësishëm botëror në fushën e Inteligjencës Artificiale, gjë e cila mund të shërbejë edhe si model për ata sipërmarrës të rinj shqiptarë, që sapo kanë nisur start-up-et e tyre dhe duan të besojnë te një ide që nesër mund të kthehet në një biznes fitimprurës.”

Në të tjera, zoti Malaj tha se vlera e aksioneve të kompanisë pritet të arrijë në 10 miliardë dollarë, nëse “Thinking Machines Lab” realizon një dalje të suksesshme në bursat ndërkombëtare, çka ofron potencial të konsiderueshëm fitimi për Shqipërinë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat