Shqipëria Postuar më 25 Mars 2026, 17:15

“Lufta, rrezik ekstrem edhe për ekonominë shqiptare”/ Sejko: Pasojat do të varen nga kohëzgjatja dhe intesiteti i konfliktit

Nga Ola Mitre

“Lufta, rrezik ekstrem edhe për ekonominë shqiptare”/

Konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme janë një burim ekstrem rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare, sipas Bankës së Shqipërisë. Në konferencën për media për të komunikuar politikën monetare, guvernatori Gent Sejko komentoi situatën e krijuar nga lufta mes SHBA –ve, Izraelit dhe Iranit, duke theksuar se vlerësimi mbi pasojat në vendin tonë nuk mund të vlerësohen aktualisht. 

“Ky konflikt ka sjellë një rritje të shpejtë e të fortë të çmimit të naftës dhe të produkteve të tjera energjitike në tregjet botërore. Kohëzgjatja, intensiteti dhe kanalet indirekte të transmetimit të kësaj goditjeje në ekonominë shqiptare janë të vështira për t’u vlerësuar me një shkallë të pranueshme sigurie. Gjithsesi, zgjatja në kohë dhe rritja e intensitetit të këtij konflikti, mund ta shndërrojnë atë në një goditje serioze oferte, të krahasueshme me atë që pasoi fillimin e luftës në Ukrainë gjatë vitit 2022. Në ngjashmëri me këtë episod, kjo goditje do të kishte pasoja negative në inflacion dhe në rritjen ekonomike të vendit në të ardhmen”, - tha Sejko.

Sipas guvernatorit, në tërësi, zhvillimet ekonomike, monetare dhe financiare të muajve të fundit kanë qenë në linjë me pritjet e Bankës dhe sugjerojnë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trend pozitiv zhvillimi.

“Për rrjedhojë, në mungesë të goditjeve të forta të ofertës, parashikimet tona të skenarit bazë tregojnë se inflacioni do të kthehet gradualisht në objektiv gjatë vitit 2026. Po ashtu, aktiviteti ekonomik pritet të vijojë të rritet me ritme solide gjatë viteve në vijim, i nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave”, - tha Sejko.

Në kushtet aktuale, Bordi Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se nuk ka nevojë për ndërhyrje në politikën monetare, duke mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat