Shqipëria Postuar më 22 Maj 2025, 12:00

Lufta ndaj lajmeve të rreme në Shqipëri - Prezantimi i gjetjeve nga AMA dhe Faktoje: Portalet abuzojnë

Nga Hamit Yzeiraj

Lufta ndaj lajmeve të rreme në Shqipëri - Prezantimi i gjetjeve

Mungesa e vërtetësisë së lajmit, për shkak të presionit të kohës, rritja e numrit të portaleve që operojnë në rrjete sociale, si dhe një sërë faktorësh të tjerë, kanë rritur rrezikun ndaj dezinformimit.

“Kompleksiteti i rrugëve të komunikimit dhe teknologjia kanë shtuar mënyrat e ndryshme të ndërveprimit të mediave, duke krijuar përshtypjen se kjo e ka bërë më të lehtë komunikimin. Por, si çdo gjë e re, kjo ka sjellë edhe rreziqe dhe fenomene të padëshiruara,” u shpreh kryetarja e AMA, Armela Krasniqi.

Gjatë aktivitetit të zhvilluar nga Autoriteti i Mediave Audiovizive në bashkëpunim me “Faktoje”, u prezantuan gjetjet kryesore që shkaktojnë rritjen e dezinformimit.

“Të gjithë gazetarët që kanë marrë pjesë në trajnimin e ‘Faktoje’, veçanërisht ata që punojnë online, pranojnë se shpesh publikojnë informacione pa i verifikuar më parë,” u shpreh gazetarja Jona Plumbi nga “Faktoje”.

I ftuar në aktivitet ishte edhe Erjon Tase, Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike, i cili theksoi se faktori kryesor i dezinformimit vjen nga numri i madh i portaleve online që publikojnë lajme të rreme.

“Javën e fundit kanë qarkulluar disa portale që konsiderohen burime mediatike, jo vetëm thjesht online, me lajme si ai që avionët ushtarakë kinezë kanë thyer bllokadën izraelite dhe kanë hedhur ndihma mbi Gazën, duke ndihmuar popullsinë në kufijtë e mbijetesës nga bllokada izraelite — lajmi që është i rremë,” u shpreh Erjon Tase.

E pranishme ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila theksoi raste të dezinformimit nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

“Më bëri përshtypje fakti që të gjithë gazetarët pranojnë se raportojnë të gjitha deklaratat politike pa asnjë verifikim,” u shpreh deputetja Zhupa.

Disa nga rekomandimet e studimit të kryer nga “Faktoje” janë që lufta kundër dezinformimit mediatik duhet të nisë që në arsimin 9-vjeçar.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat