Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2025, 17:01

Lirohen kreditë, ulet me 0.25% norma bazë e interesit - Lëhtësimi i politikës monetare, Sejko: Shkon në 2.5%, kontroll për goditjet mbi inflacionin

Nga Ola Mitre

Lirohen kreditë, ulet me 0.25% norma bazë e interesit -

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të ulë normën bazë të interesit në 2.5%, nga 2.75 % që ishte deri më tani. Vendimi u njoftua nga guvernatori Gent Sejko, ndërkohë që ky ndryshim prek drejtpërdrejt normat e kredive, që tani do të jenë më të ulta. Paralelisht, normat e interesit të depozitës njëditore dhe kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, do të ulen gjithashtu me 0.25% duke shkuar në nivelet 1.5% dhe 3.5%.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo vendimmarrje krijon kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit, në objektiv. Ajo rikonfirmon angazhimin tonë për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër, si dhe krijon kushte më akomoduese monetare për rritjen e kreditimit dhe stabilitetin e kursit të këmbimit. Kjo lëvizje është në linjë me komunikimet tona të mëparshme për të ndjekur një politikë monetare fleksibël, të bazuar në të dhënat e reja, si dhe është konsistente me kahun lehtësues të politikës monetare të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane”, - tha Sejko.

Guvernatori foli edhe rreziqet e inflacionit, duke veçuar tensionet gjeopolitike.

Balanca e rreziqeve për inflacionin mbetet simetrike në afatin e mesëm. Në veçanti, tensioni gjeopolitik dhe vijimi apo intensifikimi i luftërave tregtare janë rreziqe të kahut të sipërm për inflacionin, ndërkohë që rënia e inflacionit në Eurozonë dhe një ecuri më e dobët e ekonomisë së saj në raport me pritjet përbëjnë rreziqe të kahut të poshtëm. Nga ana tjetër, qëndrueshmëria në nivele të ulëta e inflacionit të huaj dhe të atij jobazë, vijojnë të gjenerojnë nivele më të ulëta inflacioni në raport me pritjet tona dhe paraqesin rreziqe të kahut të poshtëm në afatin e shkurtër”, - tha Sejko.

Nga shkurti i vitit 2022, Banka e Shqipërisë filloi të rriste normën bazë të interesit, teksa rritja e fundit u vendos në nëntor të vitit 2023, që shënoi dhe normën më të lartë të interesit, të paktën nga viti 2013, në nivelin e 3.25%. Ndërkaq, në korrik dhe nëntor të vitit që shkoi u morën 2 vendime për reduktimin e normës, me nga 0.25%.

Analiza 2 Korrik Eldiona Serani

Sa kushton parkingu? SCAN Intel analizon kostot

Përdorimi i makinës është kthyer në një nevojë bazë për shumicën e njerëzve, por bashkë me përdorimin e saj vijnë edhe disa kosto të tjera. Përveç taksave......

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat