Shqipëria Postuar më 25 Korrik 2025, 12:25

“Lirim para kohe me kusht për të dënuarit përjetë”/ Diskutohet drafti i Kodit të Ri Penal. Manja: Nevojë e një shteti që evoluon

Nga Ledina Elezi

“Lirim para kohe me kusht për të dënuarit

Është zhvilluar diskutimi i parë publik për draftin e Kodit të Ri Penal të Shqipërisë. Ky Kod përfaqëson një riformulim dhe riformatim konceptual në drejtësinë shqiptare, duke kombinuar modernizimin ligjor me parimet humane të drejtësisë restauruese.

Sipas Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, Kodi i Ri Penal duhet të ketë si bazë kushtetuese Kushtetutën e vitit 1998.

Kodi Penal në fuqi u miratua në 1995, në një kohë kur Shqipëria sapo kishte dalë nga regjimi totalitar. Kërkesa për të pasur një Kod Penal të ri është nevojë e një shteti që po evoluon. Kodi që kemi në fuqi i 1995 kishte 285 nene dhe 550 paragrafë, ndërsa sot ka 327 nene dhe mbi 750 paragrafë. Janë ndryshuar shpesh në mënyrë të fragmentarizuar. Kodi aktual nuk i përgjigjet më sfidave të kohës dhe zbatimi i tij paraqet vështirësi reale për gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët. Riformatimi konceptual dhe strukturor është jo vetëm i domosdoshëm, por i pashmangshëm,”- u shpreh Manja.

Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, ka qenë drejtuesi i grupit të punës për hartimin e këtij Kodi të ri. Ai u shpreh se ndër risitë e këtij Kodi është lirimi para kohe me kusht për personat e dënuar me burgim të përjetshëm.

Lirim para kohe me kusht. Ne kemi pasur disa pengesa që lidhet me aplikimin e lirimit me kusht për burgimin e përjetshëm. Përfundimisht diskutimi i gjatë është se mund ta aplikojmë lirimin me kusht për dënimin e përjetshëm. Është propozim shumë i guximshëm, debati ka qenë i fortë sepse këtu mpleksen shumë gjëra një pjesë e të cilave i përmenda, paqja sociale, viktima, rendi publik, shkalla e kriminalitetit etj, por nisur nga besimi që edhe personalisht kam, që njerëzit ndryshojnë dhe përmirësohen nëse puna me ta është e efektshme. Kjo nuk është parrullë e thënë për shkak të formimit tim, por eksperiencë e përditshme që ndodh gjithandej ndaj përfundimisht e propozuam këtë zgjidhje,”- deklaroi Rakipi.

Grupi i punës për hartimin e Kodit të ri është ngritur që në vitin 2023. Ky Kod vjen në një kohë kur janë shfaqur forma të reja kriminaliteti, ndaj dhe janë shtuar shumë elemente lidhur me krimin mjedisor, financiar, mbrojtjen e viktimës dhe të tjera. Kodi Penal është hartuar edhe në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Live TV

Të fundit
30 Nëntor

...

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

30 Nëntor

...