Shqipëria Postuar më 8 Tetor 2025, 13:44

Linjë e re ujësjellësi në Radhimë dhe Akërni - Synohet të përballohet kërkesa e lartë gjatë sezonit turistik

Nga Ernilda Luzi

Linjë e re ujësjellësi në Radhimë dhe Akërni -

Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Vlorë ka shpallur hapjen e dy tenderave, për përmirësimin e sistemit të furnizimit me ujë në zonën e Radhimës dhe linjën e furnizimit me ujë në fshatin Akërni, të cilat janë zona atraksioni turistik. Fondi limit i përllogaritur për të dy tenderat është rreth 8 milionë e 228 mijë lekë.

Sipas dokumentit në Agjencinë e Prokurimit Publik, qëllimi i përgjithshëm i investimit konsiston në ndërtimin e linjës së re të furnizimit me ujë për zonën urbane që shtrihet në të dyja anët e rrugës. Projekti nis nga linja stacioni nr.6 deri tek karburant Kastrati – Jonufër, që aktualisht furnizohet nëpërmjet një tubacioni ekzistues të ndërtuar në vitin 2015.

Duke marrë parasysh që zona e Radhimës është një zonë e cila ka një rëndësi të veçantë për turizmin, si dhe zhvillimin që ka pësuar vitet e fundit me objekte të rëndësishme të cilat do të pësojnë ende rritje në vitet në vazhdim, ka sjellë pasoja në furnizimin me ujë duke shkaktuar rënie të presionit dhe mosfurnizim të mjaftueshëm për zonat fundore të saj. Për këto arsye është parë e domosdoshme ndërtimi i një linje të re paralele me linjën e vjetër, e cila do të shmangë problematikat e furnizimit me ujë, sidomos në sezonin turistik i cili ka kërkesë të lartë të furnizimit me ujë. Shtrirja e linjës së re do të jetë rreth 1 km.

Nga ana tjetër, është parashikuar dhe ndërtimi i linjës së re të furnizimit me ujë në zonën e Akërnisë, ku është konstatuar se rrjeti i ujësjellësit ekzistues i kësaj qendre të banuar është i pamjaftushëm për plotësimin e nevojave të banorëve.

Në dokument theksohet se, për shkak të punimeve të aeroportit dhe afati i vendosjes në funksion në muajn qershor, ky tubacion ka dalë jashtë funksionit pasi shtrihet brenda territorit të Aeroportit Vlorë, gjë për të cilën duhet marrë masa urgjente për furnizimin e këtyre abonentëve.

Po kështu, të gjitha punimet janë parashikuar të kryhen në perputhje me kushtet teknike të projektimit dhe zbatimit.

Linjë e re ujësjellësi në Radhimë dhe Akërni -

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat