Shqipëria Postuar më 27 Janar 2025, 13:13

Ligji për investimet strategjike shtyhet 2 vjet - Debatet/ Deputetët e PD, kundër. Pëllumbi: Në 2026-ën, gati ligji me asistencën e BE

Nga Ola Mitre

Ligji për investimet strategjike shtyhet 2 vjet - Debatet/ Deputetët e

Efektet e ligjit “Për investimet strategjike” do të shtyhen me 2 vjet. Komisioni i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar projektligjin e deputetes së Partisë Socialiste Pranvera Resulaj, e cila propozoi që ligji të jetë në fuqi deri në 31 dhjetor të vitit 2026. Përveç afatit kohor, ndryshime parashikohen edhe në kriteret e përfitimit të statusit “investitor strategjik”, duke specifikuar se kapitali investues i projektit tashmë do jetë mbi 50 mln euro.

“Do të përfitojnë edhe investitorë ose projekte investuese për të cilat, edhe pse nuk janë të parashikuar në sektorët strategjikë të ligjit ekzistues do të mundësohet dhënia e statusit me procedurë të asistuar, nëse këto kanë një vlerë të kapitalit të investuar fillestare 50 mln euro ose më tepër”, - tha Resulaj.

Shtyrja për të disatën herë e efekteve të ligjit u kundërshtua nga deputetët e opozitës, teksa kreu i komisionit bëri me dije se në vitin 2026 do të jetë gati ligji i ri, që po hartohet me ndihmën e Bashkimit Evropian.

“Ky projektligj vjen për të disatën herë në këtë parlament me shtyrje afati. Cila është arsyeja që doni të shtyni afatin?! Nga 2018-a, që ka qenë afati final i këtij ligji, e sillni sot për në 2026. Keni 8 vjet e shtyni vit pas viti”, - tha deputeti i PD, Lefter Gështenja.

“Komisioni Europian po asiston ligjin e ri të investimeve në Shqipëri, në përputhje me atë që është edhe ligji i investimeve të Bashkimin Evropian. Deri në 2026-ën do ta kemi ligjin e ri”, - tha Arben Pëllumbi, kryetar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese

Përfitimi i statustit “investitor strategjik” iu mundëson kompanive tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastrukturë ndihmëse, furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, etj. Ligji konsideron strategjikë sektorin energjetik dhe minerar, transportin, turizmin, bujqësinë apo peshkimin, ndërsa vendos kritere mbi vlerën e investimit për të përfituar statusin, sipas secilit sektor.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat