Shqipëria Postuar më 8 Prill 2026, 17:55

Ligji i energjisë përafrohet me standardet e BE-së, Karakaçi: Në qendër konsumatori

Nga SCAN TV

Ligji i energjisë përafrohet me standardet e BE-së,

Rikonceptim i funksionimit të tregut të energjisë elektrike, duke vendosur në qendër konsumatorin. Ligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike”, që ka kaluar fazën e konusltimit publik, është prezantuar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në një tryezë me pjesëmarrjen e gjithë aktorëve të tregut. Në fjalën e tij ministri theksoi disa nga risitë kryesore, që lidhen me liberalizimin e tregut dhe depozitimin e energjisë, ndërsa shtoi se zëvendësimi i ligjit ekzistues synon përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

“Largohemi dhe tentojmë të largohemi sa më shumë drejt nga një model i centralizuar, ku aktorët shtetërorë kanë pasur vendimmarrjen më të madhe, drejt një tregu më të liberalizuar, ku shteti nuk ndërhyn më aq shumë sa ç'kemi mësuar me modelin ekzistues dhe bazë e saj të jetë konkurrenca. Në këtë model ne riorientohemi drejt garantimit të rregullave të lojës, drejt një konkurrence të ndershme midis të gjithë aktorëve të përfshirë në proces. Një nga gjithashtu risitë e këtij ligji është përfshirja e koncepteve të reja që madje për disa do thosha shumë të dëshiruara nga aktorët e kësaj tavoline, siç është depozitimi i energjisë, 'energy storage'. Sot depozitimi i energjisë hyn tek kërkesat më madhore që kanë prodhuesit e energjisë, kryesisht të energjisë së rinovueshme. Cili është problemi i energjisë së rinovueshme? Është shumë e mirë, por është intermitente, pra është jo e vazhdueshme. Krijimi i bazës ligjore për pasjen e 'storage' apo depozitimit është një hap i ri përpara drejt qëndrueshmërisë së tyre”, - tha Karakaçi.

Po ashtu, sipas ministrit, një ndër shtyllat kryesore të ligjit të ri është fuqizimi i konsumatorit.

“Për herë të parë konsumatori vendoset realisht në qendër të sistemit energjetik. Ai nuk është vetëm një përfitues shërbimi, por siç e thashë mund të jetë edhe prodhues. Sot është realitet; ne kemi klientë që janë prodhues. Dhe në këtë kuptim, duke përafruar direktivën e re të Bashkimit Evropian, edhe klienti merr rolin proaktiv përsa i përket prodhimit të energjisë përmes konceptit të klientit aktiv, komuniteteve energjetike dhe kontratave me çmime dinamike, krijojmë mundësi reale për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe bizneseve në treg dhe për liberalizimin apo demokratizimin e sektorit të energjisë elektrike”, - tha ai.

Me këtë reformë, Shqipëria synon të krijojë një treg të brendshëm të ndërlidhur, transparent dhe konkurrues të energjisë elektrike, me çmime të përballueshme dhe furnizim të qëndrueshëm, ndërsa i hap rrugë tranzicionit drejt një ekonomie me karbon të ulët.

 

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat