Shqipëria Postuar më 2 Korrik 2025, 11:25

Ligji i energjisë përafrohet me standardet e BE-së - Drafti/ Roli i konsumatorit në qendër, risi komunitetet e energjisë dhe operatorët e depozitimit

Nga Ola Mitre

Ligji i energjisë përafrohet me standardet e BE-së - Drafti/ Roli

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim ndryshimet në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, me qëllim përafrimin me Paketën për Energjinë e Pastër të Bashkimit Evropian. Drafti parashikon reforma të thella në tregun e energjisë, duke reflektuar një model të ri ku konsumatori vendoset në qendër të sistemit.

Kjo nismë vjen si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë si palë kontraktuese e Komunitetit të Energjisë dhe përmbush kërkesat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit për përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis-n e BE-së.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, kuadri ligjor ekzistues nuk i përmbush më kërkesat e tregut modern të energjisë. Mungesa e stimujve për investime në prodhimin e decentralizuar, pengesat për tregtinë ndërkufitare dhe një kornizë e dobët për mbrojtjen e konsumatorit janë disa prej boshllëqeve që synohet të adresohen.

“Ndryshimet synojnë të sigurojnë çmime dhe kosto të përballueshme, transparente të energjisë për konsumatorët, një shkallë të lartë sigurie furnizimi dhe një tranzicion të qetë drejt një sistemi të qëndrueshëm energjie me karbon të ulët“, - thuhet ndër të tjera në relacion.

Projektligji parashikon mbështetje për modele të reja biznesi, si ndarja direkte e energjisë midis qytetarëve apo përfshirja e agregatorëve, ndërsa garanton ruajtjen e çmimeve të rregulluara për klientët në nevojë.

Një tjetër risi është promovimi i pjesëmarrësve të rinj në treg, si komunitetet e energjisë dhe operatorët e depozitimit, si dhe zbatimi i sistemeve të matjes inteligjente.

Me këtë reformë, Shqipëria synon të krijojë një treg të brendshëm të ndërlidhur, transparent dhe konkurrues të energjisë elektrike, me çmime të përballueshme dhe furnizim të qëndrueshëm, ndërsa i hap rrugë tranzicionit drejt një ekonomie me karbon të ulët.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat