Shqipëria Postuar më 15 Nëntor 2024, 11:03

Lehtësohen procedurat për programet e punësimit - Mundësi të reja për trajnim e integrim të të rinjve

Nga Ernilda Luzi

Lehtësohen procedurat për programet e punësimit - Mundësi

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive u bën thirrje punëdhënësve të kontribuojnë për përfshirjen në tregun e punës të të rinjve të moshës 15-29 vjeç, duke ofruar trajnime e punësim. Sipas AKPA janë 5254 oferta punësimi.

Punëdhënësit që kërkojnë të regjistrohen në programet e nxitjes së punësimit mund të aplikojnë online tek e-albania për “programin e të nxënit në vendin e punës”. Nga 4 dokumente të kërkuara, duhet të ngarkojnë vetëm një dhe përgjigjja për aplikim mbërrin elektronikisht brenda 7 ditëve pune.

Por cilat janë kriteret që duhet të plotësojnë punëdhënësit?

Sipas Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive mund të aplikojnë vetëm punëdhënësit që janë të regjistruar të paktën prej 6 muaj në QKB si biznes; nuk janë në proces falimenti; janë regjistruar si punëdhënës pranë AKPA-s; nuk kanë shkelje apo detyrime tatimore dhe plotësojnë të gjitha kushtet infrastrukturore dhe në burime njerëzore për t’u përfshirë në program.

Programi do të zbatohet fillimisht vetëm në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e katërt të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 66.7%, ose 0.2 pikë përqindje më e lartë krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më pare, dhe është ulur me 1 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin paraardhës.

Ndërkohë, sipas shifrave, shkalla zyrtare e papunësisë për grupmoshën 15-29 vjeç është 22%, duke shënuar një rritje me 0.6 pikë përqindje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. 



 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat