Shqipëria Postuar më 16 Prill 2025, 10:23

Lehtësohen hyrje-daljet në pikat kufitare - Ndryshon Kodi Doganor, procedura më të thjeshta për bizneset

Nga Elisabeta Dosku

Lehtësohen hyrje-daljet në pikat kufitare - Ndryshon Kodi Doganor,

Qeveria ka iniciuar ndryshime ligjore në Kodin Doganor shqiptar,  të cilat synojnë qartësimin, plotësimin, saktësimin dhe harmonizimin e disa dispozitave, me qëllim lehtësimin e procedurave për operatorët ekonomik në aspektin procedural, nga pikëpamja e regjimeve, garancisë, origjinës, ankimit, pagesës së kamatëvonesave për detyrimet e papaguara, sanksioneve, ashtu edhe në atë të përafrimit të mëtejshëm në kuadër të aderimit në Konventën e Transitit të Përbashkët.

Gjithashtu, projekt ligji i hedhur për konsultim publik synon qartësimin e aplikimit nga autoritetet doganore të sanksioneve për shkeljet e Kodit Doganor, eliminimin e qëndrimeve subjektive të administratës apo auditeve në përgjithësi. Ndryshimet më të prekshme lidhen me disa korrigjime që i janë bërë pjesës së shkeljeve duke mënjanuar përfshirjen e të njëjtave parashikimeve në dy nene, si dhe është vendosur një limit për kamatëvonesën për detyrimet e papaguara.

Sipas projektligjit, “Shuma maksimale e kamatvonesës që zbatohet nga autoritetet doganore nuk duhet të tejkalojë shumën e detyrimeve të importit ose eksportit mbi të cilat zbatohet kamatvonesa.”.

Sipas draftit, për t'u mundësuar autoriteteve doganore të kryejnë analizën e duhur të riskut dhe kontrollet e duhura të bazuara në risk, është e nevojshme të sigurohet që operatorët ekonomik t'u ofrojnë atyre të dhëna dhe informacion para mbërritjes në lidhje me mallrat joshqiptare në formën e një deklarate përmbledhëse hyrjeje.

Mundësia për të paraqitur një deklaratë doganore ose një deklaratë për magazinim të përkohshëm në vend të një deklarate përmbledhëse hyrëse duhet të jetë e disponueshme vetëm nëse autoritetet doganore ku paraqiten mallrat e lejojnë këtë.

Kur autoriteteve doganore u kërkohet të anulojnë një deklaratë për magazinimin e përkohshëm për shkak të faktit se mallrat e mbuluara nga deklarata nuk janë paraqitur në doganë, ajo deklaratë duhet të anulohet pa vonesë pasi të kenë kaluar 30 ditë nga depozitimi i deklaratës dhe jo brenda 30 ditëve, pasi kjo është periudha brenda së cilës malli duhet të paraqitet në doganë.

Objektivi i përgjithshëm që synohet të rregullohet me këtë projekt ligj është përmirësimi, qartësimi, plotësimi dhe harmonizimi i kuadrit ligjor për sigurimin e zbatimit të procedurave të parashikuara në legjislacionin doganor, si nga ana e administratës doganore, ashtu edhe nga ana e operatorëve ekonomik apo personave në përgjithësi të cilët kryejnë veprime në fushën doganore.



Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat