Shqipëria Postuar më 26 Janar 2026, 13:16

Lehtësitë në pikat kufitare rrugore - Komuniteti i Transportit, kërkesa për Qafë Thanën, Hanin e Hotit e Kakavijën  

Nga Ola Mitre

Lehtësitë në pikat kufitare rrugore - Komuniteti i Transportit,

Raporti i fundit i Komuniteti të Transportit evidenton progres, por edhe sfida që mbeten të hapura mbi masat për përmirësimin e efikasitetit në pikat kufitare rrugore të vendit tonë.

Sipas raportit, pas vendosjes së sistemit “one-stop” në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë me Maqedoninë e Veriut në gusht 2023, autoritetet e të dyja vendeve duhet të intensifikojnë punën për zbatimin e plotë të protokollit të infrastrukturës dhe të marrëveshjes për kalimin e përbashkët kufitar. “Zbatimi i kësaj mase, i mbështetur nga qeveritë e të dyja vendeve dhe Banka Botërore, synon të lehtësojë tregtinë, të rrisë konkurrueshmërinë e kompanive, të ulë kohën e pritjes në kufi dhe të forcojë bashkëpunimin dhe besimin, duke kontribuar kështu në përmirësimin e sigurisë kufitare dhe uljen e korrupsionit”, - thuhet ndër të tjera në raport.

Ndërkohë, si pjesë e nismës “Korridoret e Gjelbra”, janë përgatitur plane teknike për pesë pika kufitare brenda Ballkanit Perëndimor, përfshirë Qafë Thanën dhe Morinën. Megjithatë, theksohet se ndërhyrjet e propozuara për Qafë Thanën nuk mbulohen nga faza e parë e projektit të Bankës Botërore.

Në anën tjetër, raporti evidenton mungesë progresi në bashkëpunimin Shqipëri–Mal i Zi lidhur me pikën e përbashkët kufitare Hani i Hotit/Bozhaj, pasi diskutimet mbi modelin e kontrollit të përbashkët janë ndërprerë që prej Planit të Veprimit të mëparshëm, pavarësisht përfshirjes në planin e ri 2025–2027.

Ndërkaq, Komuniteti i Transportit rekomandon thellimin e modelit të kontrollit të përbashkët në Qafë Thanë, përfundimin e modernizimit të pikës kufitare, si dhe përgatitjen e projekteve të reja për Kakavijën. Raporti nxit gjithashtu arritjen e një marrëveshjeje për kontrollin e përbashkët në Hanin e Hotit dhe vlerësimin e mundësisë për hapjen e një pike të përbashkët dogane në Murriqan për trafik mallrash. Gjithashtu, institucionet shqiptare ftohen të forcojnë kapacitetet administrative dhe të thjeshtojnë procedurat kufitare në përputhje me nismën “Korridoret e Gjelbra”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat