Shqipëria Postuar më 12 Qershor 2025, 11:48

Lehtësi bizneseve drejt tregut të BE - Drejtorët e doganave të BE dhe Ballkanit Perëndimor, konferencë në Tiranë

Nga Elisabeta Dosku

Lehtësi bizneseve drejt tregut të BE - Drejtorët e doganave

Integrimi ekonomik në tregut të përbashkët Europian përmes reduktimit të barrierave doganore, lehtësimit të shkëmbimeve tregtare, sigurisë kufitare dhe dizhitalizimit, ka qenë fokus të Konferencës së Nivelit të Lartë të drejtorëve të përgjithshëm të Doganave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të BE-së, e organizuar në Kryeqytet.

E pranishme në konferencë, Zv.Kryeministrja Belinda Balluku theksoi se bashkëpunimi midis administratave doganore luan rol kyç në procesin e integrimit europian.

“ Bashkimi Europian është më afër se kurrë dhe është fat të jesh në kohën e duhur dhe në vendin e duhur të  këtij rrugëtimi të doganave shqiptare drejt unionit doganor europian. Historia 57 vjeçare e suksesit të unionit është udhërrëfyesi më i mirë për administratat e ballkanit perëndimor,  në përpjekje drejt dixhitalizimt dhe harmonizimit të politikave, proceseve doganore, sistemeve tranzit apo rregullave të origjinës.  Synimi kryesor është të fokusohemi në masa konkrete për të lehtësuar tregtinë e bizneseve, të tilla si ulja e kohës së pritjes për bizneset,thjeshtimin e procedurave dhe dixhitalizmin e proceseve”.

Lehtësi bizneseve drejt tregut të BE - Drejtorët e doganave

Ndërsa Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi se vetëm duke bashkëpunuar me vendet e rajonit, mund të arrihen rezultate konkrete në ndihmë të bizneseve dhe ekonomike respektive.

“Vetëm duke punuar bashkë dhe vetëm duke bashkuar forcat mund të arrijmë rezultate konkrete dhe të garantojmë një konkurrencë të ndershme në tregun europian dhe me gjerë. Sipërmarrjet tona do duhet të jenë të gatshme të konkurrojnë në tregun e BE dhe të japin kontributin e tyre për një ekonomi të fortë dhe të përbashkët. Duam që ndërmarrjet tona të tërheqin sa më shumë ivestime të huaja dhe të shtrihen në tregje të reja. Kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm. Një pikë kyçe është përmirësimi i efikasitetit të administratës doganore. Ato janë një shtyllë strategjike për nxitjen e zhvillimit ekonomik. Jemi të përkushtruar për të tyë përafruar të gjitha procedurat tona me BE. Rritjen e bashkëpunim rajonal mes administratave doganore të Ballkanit Perëndimor dhe avancimi i korridoreve të gjelbër dhe të kaltër për të mundësuar kalime më të shpejta dhe më të integruara në kufi”.

Lehtësi bizneseve drejt tregut të BE - Drejtorët e doganave

Përfaqësuesja e CEFTA, Edna Karadza nënvizoi rëndësinë që ka projekti që po implementohet SEED + në shkembimin e të dhenave elektronike në kohë reale.

“SEED + lidh njerëz dhe popuj, mundëson kanale të gjelbërta dhe blu mes CEFTA dhe BE. Dixhitalizimi është motorri i zhvillimit dhe nëpërmjet SEED + po e ndërtojmë këtë motorr zhvillimi së bashkku duke ulur kohën e pritjes. Mbi 600 mijë deklarat doganore nga CEFTA drejt BE kanë kaluar si pjesë e kanaleve blu dhe të gjelbërta”.

Lehtësi bizneseve drejt tregut të BE - Drejtorët e doganave

Konferenca shërben si platformë për një iniciativë të re që synon forcimin  e partneriteteve doganore dhe ndërtimin e një tregu rajonal më të fortë.

 

Fjala e Zv. Kryeministres, Konferenca e Nivelit të Lartë të Doganave

 

Mirëserdhët në Shqipëri,

Të nderuar Drejtorë të Përgjithshëm të Doganave të Bashkimit Europian apo të vendeve të Ballkanit Perëndimor,

Të nderuar përfaqësues të Komisionit,

Është kënaqësi t'ju mirëpresim sot në Tiranë, në takimin e dytë të Nivelit të Lartë të Drejtorëve të Përgjithshëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shpresoj shumë, që përtej një konference të suksesshme, ky takim do të shërbejë për të vendosur gurë kilometrikë, të cilët do të shërbejnë në një bashkërendim të detyrës sublime që ju keni në shërbim të Bashkimit Europian dhe të vendeve tuaja.

Në kuadër të bashkëpunimit të përfaqësues në Europë, siç u miratua së fundi gjatë Komitetit Politik Europian të mbajtur në Tiranë, në 16 maj 2025, zgjerimi i Bashkimit Europian dhe vendet e Ballkanit, është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik i këtij unioni dhe anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë vetëm me prosperitetin, por edhe me vlerat kombëtare të secilit shtet.

Ne shqiptarët e dimë mirë se ç'do të thotë të presësh për një kohë të gjatë, përpara derës së mbyllur të një familje të madhe europiane, pjesë e së cilës ne jemi në mënyrë natyrale. Jemi në mënyrë natyrale, pasi kemi lindur dhe jemi banorë autoktonë të zemrës së Europës, jemi mesdhetarë ashtu siç grekët apo italianët, fqinjët tanë janë. Ne sot jemi në prag, qëndrojmë në derën e Bashkimit Europian, për të pritur certifikimin administrativ dhe zyrtar i cili do të na lejojë një anëtarësim të plotë, por ne jemi europianë, ashtu si të gjithë ju, në zemër, në sjellje dhe në veprime.

E them këtë sepse Shqipëria ka pasur një të shkuar shumë të vështirë e cila e ka mbajtur larg këtij bashkimi. Ka pasur një shkuar të vështirë e cila është kthyer në një mësim për ne dhe padyshim sot jemi një nga popujt që dëshiron më shumë të jetë pjesë e Bashkimit Europian me të gjitha kërkesat dhe detyrat e shtëpisë që na lindin për t'u anëtarësuar.

Pas shumë sfidash dhe përpjekjesh ne kemi arritur me sukses në dekadën e fundit të jemi më afër se kurrë këtij kalimi të portës së mbyllur dikur, por që tashmë është gjysmë e hapur dhe besojmë shumë në të gjithë angazhimin që administrata shqiptare ka për të plotësuar kushtet e këtij anëtarësimi, por edhe në vullnetin politik të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për të na mirëpritur në atë tryezë të shume ëndërruar për të gjithë shqiptarët.

 E thënë e gjitha kjo ne kuptojmë shumë mirë që çdo institucion, i cili bashkërendon punën me vendet anëtare dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, luan një rol të jashtëzakonshëm në anëtarësimin e vendit tonë, ndaj jemi të angazhuar më shumë se kurrë edhe me doganat shqiptare, të cilat janë pjesë e rëndësishme e strukturave shtetërore, mbi të cilat dalin detyra specifike në kuadër të këtij procesi të integrimit europian.

Pikërisht objektivat strategjike e politike të Komitetit Politik Europian, të mbajtur në Tiranë, në 16 maj pasohen në këtë takim të Nivelit të Lartë mes drejtuesve teknikë të autoriteteve doganore të rajonit dhe Bashkimit Evropian dhe të DG Customs për të vendosur kolonat e bashkimit doganor me fokus tek siguria, lehtësimi i tregtisë së ligjshme dhe integrimi ekonomik drejt tregut të përbashkët europian.

Bashkimi Europian është më afër se kurrë dhe është fat të jesh në kohën e duhur dhe në vendin e duhur të këtij rrugëtimi të doganave shqiptare drejt Unionit Doganor Europian. Historia 57 vjeçare e suksesit të Unionit Doganor të Bashkimit Europian është udhërrëfyesi më i mirë për administratat doganore të Ballkanit Perëndimor, në përpjekje drejt digjitalizimit dhe harmonizimit të politikave. Gjithashtu dhe të proceseve doganore, sistemeve të tranzit dhe rregullave të origjinës, analizës së riskut apo procedurave të tjera doganore.

Në mbledhjen e posaçme të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian u vlerësua angazhimi i palëkundur i Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke theksuar konsensusin e gjerë politik dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësimin në BE,  krahas përafrimit të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Unionit.

Objektivi për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027 është ambicioz, por edhe sfidues për reformat në fushën e bashkëpunimit doganor, pasi Shqipëria do të jetë porta e hyrjes dhe daljes nga Unioni dhe këto procese kërkojnë mbështetjen teknike të partnerëve tanë, por dhe vullnet, angazhim dhe kapacitete njerëzore për të konverguar drejt standardeve të Bashkimit Europian për doganat shqiptare.

Të nderuar pjesëmarrës! Duke ju falënderuar edhe një herë për pjesëmarrjen, shpreh bindjen se gjatë sesioneve të kësaj Konference do të keni diskutime të frytshme lidhur me zhvillimin e korsive të gjelbërta dhe blu, si dhe instrumente për përmirësimin e efikasitetit në pikat e kalimit dhe lehtësimin e tregtisë, si dhe nevojat e ardhshme të bashkëpunimit doganor në kontekstin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të planit të rritjes të këtij Unioni.

Synimi kryesor është të fokusohemi në masa konkrete për të lehtësuar tregtinë për bizneset, të tilla si ulja e kohës së pritjes në pikat e kalimit, thjeshtësimi i procedurave dhe padyshim, avancimi i proceseve digjitale, ku sot pata kënaqësinë ndaja me drejtorin e Doganave italiane progresin që Shqipëria ka bërë në fushën e digjitalizimit apo edhe të përdorimit të inteligjencës artificiale në shumë nga sektorët e administratës publike, që, padyshim, kanë sjellë rezultate të shkëlqyera, pikërisht në ato kritere që përmenda pak më parë, përsa i përket uljes së kohës së operimeve apo transparencës dhe gjithçka tjetër.

Dhe në fund do t'ju lutesha që ti kushtonit pak kohë për të vizituar Tiranën, pasi një nga sektorët më të rëndësishëm për Republikën e Shqipërisë, por që lidhet ngushtë me doganat, është turizmi. Turizmi i cili nuk ka lidhje vetëm me bregdetin e mrekullueshëm shqiptar, nuk ka lidhje vetëm me malet e larta madhështore të këtij vendi, por ka lidhje edhe me qytetet tona, me rilindjen e tyre dhe me kthimin e këtyre qyteteve, siç është rasti i Tiranës, në një galeri të gjallë të arkitekturës botërore.

Kështu që në pasditen e sotme, për të mbaroni këto sesione të frytshme, shpresoj, gjeni kohën për të vizituar një nga kryeqytetet më vitale, jo të Bashkimit Europian, por të Europës sepse pavarësisht se jemi tek ajo dera gjysmë e hapur, ju do të ndiheni në shtëpinë tuaj sepse Shqipëria ka një zemër të artë për të gjithë ata që e vizitojnë.

Shumë faleminderit për vëmendjen dhe ditë të mbarë dhe të suksesshme sot!

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat