Shqipëria Postuar më 6 Mars 2026, 18:10

Lamallari merr detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme: Rikthehem në shtëpi!

Nga SCAN TV

Lamallari merr detyrën e Ministrit të Punëve të Brendshme:

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u zhvillua sot ceremonia zyrtare e dorëzimit të detyrës nga Zv.Kryeministrja dhe ish-Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, tek Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari. Në fjalën e saj, Koçiu theksoi se rikthimi i ministrit Lamallari në krye të Ministrisë përbën “një kthim në shtëpi”, pasi ai ka eksperiencë e gjatë dhe e rëndësishme në këtë institucion. Koçiu nënvizoi reformat e nisura gjatë mandatit të saj, përfshirë riorganizimin e aparatit të Ministrisë, avancimin e projekteve në Illyrian Guard, IdentiTek, Agjencinë e Pasurive të Konfiskuara dhe të Sekuestruara, si dhe proceset e rëndësishme që lidhen me IKMT, Prefekturat dhe Policinë Bashkiake. Po ashtu, ajo përmendi rëndësinë e sfidave përpara Policisë së Shtetit, mes të cilave përzgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm dhe riorganizimi i strukturave të saj.

“Jam e sigurt se stafi dhe ekipi profesional i Ministrisë do të vijojnë të çojnë përpara punët e nisura. I uroj sukses ministrit Lamallari dhe secilit prej jush në përmbushjen e misionit të rëndësishëm në shërbim të qytetarëve,” tha zonja Koçiu.

Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, falënderoi Zv.kryeministren Koçiu për punën dhe kontributin e saj, duke e vlerësuar si një drejtim dinjitoz dhe profesional të MPB-së gjatë këtyre muajve.

“Rikthehem në shtëpi dhe gjej një ekip me të cilin ndaj vlera dhe përvojë të përbashkët. Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe një nder i posaçëm. Do të vijojmë të çojmë përpara punët e mira të nisura dhe të forcojmë misionin tonë në shërbim të qytetarëve, për më shumë siguri, rend dhe integritet institucional,” tha ministri Lamallari.

Ai falënderoi Kryeministrin për besimin e dhënë dhe theksoi angazhimin për të garantuar standarde të larta profesionale në Policinë e Shtetit dhe në të gjitha institucionet e varësisë.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat