Shqipëria Postuar më 23 Korrik 2025, 12:33

Kush përjashtohet nga aktmarrëveshja e OSHEE? Hima: Skemat e reja u japin mundësi klientëve për të shlyer detyrimet

Nga Diamila Leka

Kush përjashtohet nga aktmarrëveshja e OSHEE? Hima: Skemat e reja u

Në lidhje me aktmarrëveshjen e OSHEE Group për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të energjisë elektrike, drejtori i departamentit të shitjeve dhe arkëtimit, Mentor Hima, në një deklaratë për mediat dha detaje për të gjithë përfituesit dhe për mënyrat e shlyerjeve të detyrimeve.

“OSHEE ka miratuar skemat e reja të aktmarrëveshjeve, për t’i dhënë mundësi të gjithë klientëve debitorë, të shlyejnë detyrimet e prapambetura, të krijuara deri në vitin 2023. Në këtë skemë, parashikohet të përfshihen të gjitha kategoritë e klientëve, familjarë dhe jofamiljarë. Si gjithmonë OSHEE, në respekt edhe të angazhimit të saj social, ka parashikuar që të përfshihen në skema dhe familjet në nevojë, personat me status të veçantë, pensionistët duke i dhënë mundësinë të shlyejnë detyrimet e prapambetura me këste minimale 1200 lekë dhe 2800 lekë. Por kjo nuk përjashton mundësinë e zgjedhjes së një kësti alternativë, për të gjithë ato kategori klientësh që dëshirojnë ta shlyejnë detyrimin total të energjisë elektrike, për një kohë më të shkurtër. Gjithmonë duke ju përmbajtur afatit maksimal, prej 240 kështesh,”- u shpreh Hima.

Por çfarë rruge do të ndiqet për ata klientë të cilët kanë detyrime edhe gjatë 2024 apo 2025?

“Në skemat e aktmarrëveshjeve të vitit 2025, parashikohet shlyerja e detyrimeve të krijuara deri në 31 dhjetor 2023. Për të gjithë klientët që kanë krijuar detyrime gjatë vitit 2024 e në vijim, nuk do të përfshihen në këto skema me kusht që të shlyhen paraprakisht, detyrimet e krijuara rishtazi, pra të 2024 dhe 2025,”-deklaroi ai.

Për të gjithë ata abonentë familjarë dhe jo familjarë, nëse paguajnë këstin njëherësh të detyrimeve të parpambetura të energjisë elektrike, do të përfitojnë benefite.

“Kjo është një nga mundësitë e tjera që OSHEE Group, i ofron të gjithë klientëve debitorë që në rast se ka klientë, që dëshirojnë të shlyejnë të gjithë detyrimin, në një këst të vetëm, apo një pagesë të vetme, përfitojnë reduktim kamate nga 50% deri në 100%, në varësi të kategorisë të cilës i përkasin,“-shtoi Hima.

Ndërkohë, përsa i përket doklumentacionit që duhet paraqitur në qndrat e kujdesit ndaj klientit, për abonentët familjarë, kërkohet ID e aplikantit, për biznesin e vogël kërkohet nipt, ekstrat i biznesit, si dhe vërtetim i përgjegjësisë tatimore. Ndërkohë për të gjithë ata aplikantë të cilët janë pjesë e ndihmave etj, kërkohet vërtetim i statusit të veçantë të tyre. 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat