Shqipëria Postuar më 26 Shkurt 2025, 14:34

Kursimi është zgjedhja e shqiptarëve - Si mund t’i përdorin më mirë qytetarët paratë e tyre?

Nga Hamit Yzeiraj

Kursimi është zgjedhja e shqiptarëve - Si mund t’i

Përgjatë vitit të shkuar, besimi në banka nga ana e qytetarëve vazhdoi, ku stoku i depozitave arriti vlerën e 1.36 trilionë lekëve, ose 13.8 miliardë euro.

Problemi qëndron se individët në vend preferojnë t’i mbajnë këto para në banka dhe jo t’i shfrytëzojnë për të rritur të ardhurat e tyre, por edhe për të kontribuar në ekonominë e vendit. Por, çfarë duhet të lëvizë në sistemin ekonomik të vendit që qytetarët të investojnë më shumë se thjesht të kursejnë paratë e tyre?

Janë një sërë alternativash që vendet e zhvilluara i përdorin për të investuar paratë e tyre dhe për të rritur të ardhurat. Të tilla janë bursat dhe tregjet e kapitalit, ku megjithëse Shqipëria nuk ka ende një bursë të vetën, qytetarët mund të investojnë në bursat e huaja, si forex apo kriptomonedha.

Ndonëse ato kanë normë fitimi shumë herë më të lartë se depozitat në banka, apo letrat me vlerë, siç janë obligacionet dhe bonot e thesarit, në anën tjetër, aq i lartë është edhe niveli i rrezikut për të humbur ato para. Përveç tregjeve të huaja, janë edhe start-up-et që po zhvillohen shumë, të paktën në 5 vitet e fundit, si dhe fondet e pensioneve private.

Edhe edukimi financiar ka një ndikim shumë të lartë për sa i përket lidhjes së ngushtë të individit me bankat. Në Shqipëri, implementimi i një fushe për financat personale në kurrikulat e arsimit është ende në faza të hershme.

Megjithatë, ndonëse ka programe dhe aktivitete që synojnë ngritjen e nivelit të edukatës financiare, ato shpesh janë joformale dhe shpërndahen më shumë përmes aktiviteteve të organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve financiare, sesa si pjesë integrale e mësimdhënies në shkolla.

Një hap i rëndësishëm ka qenë iniciativat e Bankës së Shqipërisë dhe organizatave të tjera që kanë zhvilluar fushata për edukimin financiar, si dhe prezantimin e moduleve dhe aktiviteteve për nxënësit e shkollave të mesme. Por, ende ka shumë hapësirë për përmirësim në përfshirjen e edukatës financiare në mënyrë të sistematizuar në kurrikulat shkollore.

Në këtë kontekst, është e qartë se për të stimuluar investimet dhe për të rritur aktivizimin e fondeve që aktualisht mbahen pasive në banka, nevojitet një ndryshim i thellë në sistemin financiar dhe një rritje e edukatës financiare.

Qytetarët shqiptarë duhet të kenë mundësi më të mëdha dhe më të sigurta për të investuar, dhe kjo mund të arrihet përmes krijimit të instrumenteve të reja financiare dhe përmirësimit të aksesit në mundësitë globale të investimeve.

Një hap i rëndësishëm është gjithashtu që edukimi financiar të bëhet një pjesë integrale e arsimit të detyrueshëm, që do t'u mundësonte qytetarëve të marrin vendime më të informuara dhe të kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Nëse këto hapa merren, mund të shohim një rritje të investimeve, një forcim të ekonomisë dhe një rritje të mirëqenies për të gjithë qytetarët.



 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat