Shqipëria Postuar më 7 Shkurt 2025, 14:39

“Kursi i këmbimit, i monitoruar si duhet” - Përfaqësuesi i FMN, Sebastian Sosa, në takim me Guvernatorin Sejko

Nga Ledina Elezi

“Kursi i këmbimit, i monitoruar si duhet” -

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) do të vijojë të ofrojë asistencë teknike ndaj Bankës së Shqipërisë edhe në të ardhmen. Së fundmi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim me Përfaqësuesin Rezident Rajonal për Ballkanin Perëndimor pranë FMN-së, Sebastian Sosa, ku u diskutua ecuria ekonomike e vendit tonë.

Duke marrë parasysh lëvizjet e forta në kursin e këmbimit përgjatë këtyre dy viteve të fundit, Përfaqësuesi i FMN vlerësoi monitorimin e vazhdueshëm që Banka e Shqipërisë i ka bërë tregut valutor, pa cenuar regjimin e lirë të tij. Sebastian Sosa vlerësoi punën dhe rezultatet e arritura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të forcimit të stabilitetit monetar e financiar të vendit.

Ai u ndal te rëndësia e kthimit të inflacionit në objektiv dhe shprehu mbështetjen ndaj masave të Bankës së Shqipërisë. Sosa gjithashtu përgëzoi Guvernatorin Sejko për anëtarësimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA, si një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit drejt integrimit evropian.

Guvernatori Sejko i prezantoi përfaqësuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, programin e miratuar së fundi nga Banka e Shqipërisë për financimin e biznesit mikro, të vogël dhe të mesëm, i cili synon të krijojë një instrument financimi për bankat tregtare që të mund të përdoret prej tyre në mbështetje të përmirësimit të aksesit në kredi.

Lidhur me politikën monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, Sejko u shpreh se inflacioni pritet të kthehet në objektivin prej 3% gjatë vitit 2025.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat