Shqipëria Postuar më 19 Dhjetor 2025, 10:54

Kur t’i investosh paratë në tituj qeveritarë? - Tremujori i parë 2026 me “boom” emetimesh. Bonot 12-mujore, instrumenti më i shpeshtë

Nga Ledina Elezi

Kur t’i investosh paratë në tituj qeveritarë? - Tremujori i

Shqipëria do të emetojë 174 miliardë lekë bono 12-mujore gjatë vitit të ardhshëm. Sipas kalendarit të Ministrisë së Financave, bonot 12-mujore do të jenë instrumenti më i emetuar në 2026, ndjekur nga obligacionet 2-vjeçare.

Shumica e titujve do të emetohen në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, ndërsa gjatë sezonit veror dhe muajve të fundit të vitit parashikohet një shkallë më e ulët e emetimeve. Konkretisht, janari dhe marsi mbajnë secili një rekord prej 45.5 miliardë lekë tituj qeveritarë, ndërsa muajt me shumën më të ulët të bonove të thesarit dhe obligacioneve janë shtatori dhe dhjetori.

Obligacionet 20-vjeçare të cilat u emetuan për herë të parë këtë vit si testim tregu, do të vijojnë të emetohen edhe në 2026 me një vlerë prej 5 miliardë lekësh.

Bonot 12-mujore, obligacionet 3-vjeçare dhe 5-vjeçare janë instrumentet që do të emetohen më shpesh, në çdo muaj të vitit pasardhës, ndërsa instrumenti që do të emetohet më pak janë obligacionet 2.5 vjeçare.

Çfarë do të thonë këto të dhëna për personat që duan të investojnë në tituj qeveritarë?

Investitorët do të kenë më shumë mundësi të blejnë tituj qeveritarë në tremujorin e parë të vitit, por kjo nuk nënkupton se do të kenë më shumë fitim. Pavarësisht se oferta do të jetë e lartë në janar-mars të 2026, fitimi do të varet nga normat e interesit, afati dhe faktorë të tjerë.

Për të investuar në bono thesari dhe obligacione, qytetarët mund të marrin pjesë në mënyrë direkte në ankandet e Bankës së Shqipërisë ose të investojnë në mënyrë indirekte përmes fondeve të investimeve, të pensioneve dhe institucioneve të tjera të autorizuara për investim në këto instrumente.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat