Shqipëria Postuar më 26 Gusht 2025, 16:46

Kur e sigurojnë jetën shqiptarët? - AMF: Rreth 77% e kontratave të këtij produkti vijnë për shkak të kredimarrjes

Nga Ledina Elezi

Kur e sigurojnë jetën shqiptarët? - AMF: Rreth 77% e kontratave

Sigurimi i jetës vijon të mbetet në nivele shumë të ulëta në Shqipëri. Sipas Gjeografisë së Sigurimeve të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, gjithnjë e më pak qytetarë po sigurojnë jetën e tyre dhe këtë e dëshmon vlera e ulët e primeve të shkruara bruto në pjesën më të madhe të qarqeve të vendit.

Shifrat flasin për një rënie të konsiderueshme të primeve nga sigurimi i jetës në 9 qarqe të vendit, si Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Vlorë. Ndërkohë, Berati, Dibra dhe Tirana janë të vetmet prefektura me rritje të këtij sigurimi.

Por cilat janë produktet më të zgjedhura?

Sigurimi i jetës së debitorit është produkti më i kërkuar kur vjen çështja te sigurimi i jetës. Në 8 qarqe të vendit, ky është i vetmi lloj sigurimi për të cilin qytetarët paguajnë. Kjo do të thotë se sigurimi i jetës vijon të bëhet vetëm në rastet kur banka jep kredi dhe e ka kusht që kredimarrësi të sigurojë jetën dhe pronën. Rreth 77% e kontratave të sigurimit të jetës vijnë për shkak të detyrimeve nga banka.

Pas sigurimit të jetës së debitorit, 3 produktet e tjera më të zgjedhura janë sigurimi i jetës në grup, i jetës dhe shëndetit në udhëtim dhe plani i pagesave cash. Vetëm katër qarqe, Durrësi, Korça dhe Shkodra rezultojnë të paguajnë për 4 lloje sigurimesh, ndërsa Tirana mban rekord.

Në 2024, numri i kontratave të sigurimit të jetës ishte vetëm 152 mijë. Gati 93% e primeve të shkruara bruto të sigurimit të jetës janë të përqendruara në Tiranë, ndjekur nga Shkodra me 3%, e cila megjithëse nuk është prefektura me popullsinë më të madhe, ka një numër më të madh qytetarësh që sigurohen.

Ndërkohë, 10 qarqet e tjera të vendit zotëorjnë një përqindje të papërfillshme, me Dibrën që ka numrin më të vogël të kontratave.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat